Lajme Shqip Wednesday, 12 June 2013 13:13

Beograd – Sipas dokumentacionit ekzistues, prona që pretendon Serbia në Kosovë vlen mbi 220 miliardë dollarë. Siç shkruan e përditshmja e Beogradit, “V.Novosti”, e afërt me pushtetin, vetëm pasuria e serbëve të ndjekur, siç i quan kjo gazetë serbët që janë larguar vetë nga Kosova, kalon vlerën e katër miliardë dollarëve. Përveç 580 mijë hektarëve të tokës bujqësore, pyjore e për ndërtime, që është në pronësi të shtetit të Serbisë, ajo është edhe pronare e 1,4 milion metrave katrorë të lokaleve zyrtare, 145 mijë metrave katrorë të ndërtesave afariste dhe 25.999 metrave katrorë banesa. Të gjitha këto, shkruan kjo gazetë, ndodhen në shënjestër të shitjes së kundërligjshme, raporton koha.

Me mija hektarë të tokës së pëlleshme të Kosovës, pronë e subjekteve ekonomike serbe, përmes privatizimit ilegal nga Agjencia Kosovare e Privatizimit po u shiten “pronarëve” të rinj (siç i fut në thonjëza këta “Novosti”) – shqiptarëve.

Shefi i Grupit për gjyqësi në Zyrën për Kosovën (të Qeverisë së Serbisë), Igor Popoviq, citohet nga “V.Novosti” të ketë thënë se tjetërsimi i pronës së ndërmarrjeve serbe, përkatësisht aksionarëve, gjatë vitit të fundit po zhvillohet i përshpejtuar. “Qëllim është shkatërrimi i pozitës ekonomike, por edhe hapësinore e Bashkësisë së ardhshme të komunave serbe”, citon kjo gazetë Popoviqin.