Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 14:11

Beograd – Ministria e Mbrojtjes në Beograd ka vendosur që t’u ndajë medalje përkujtimore ushtarëve nga Serbia, të cilët kanë marrë pjesë në luftërat e zhvilluara në hapsirat e ish-Jugosllavisë gjatë viteve 90-të.

Ministria serbe e Mbrojtjes thotë se medaljet përkujtimore do t’u ndahen vetëm atyre që kanë shërbyer me nder dhe profesionalitet.  Me medalje mund të dekorohet çdo ushtar i Ushtrisë Serbe, i cili ka marrë pjesë në luftë në periudhën prej 26 qershorit 1991 deri më 19 maj 1992, prej 23 marsit 1998 deri me 26 qershor 1999 si dhe në periudhën 23 mars 2001 deri më 30 qershor 2001. Dekoratat mund t’u jepen ushtarëve të cilët nuk kanë qenë nën hetime dhe nuk janë akuzuar prej ndonjë gjykate në vend apo jashtë vendit“, pohon Joviçiq.
Gjatë këtyre periudhave për të cilat flitet, janë zhvilluar gati të gjitha aksionet e rëndësishme gjatë luftës në Kroaci. Ushtarët e Serbisë mund të marrin mirënjohje edhe për pjesëmarrje në luftën e Bosnjë-Hercegovinës, deri në tërheqjen e Armatës Popullore të Jugosllavisë, si dhe për pjesëmarrje në luftën e Kosovës dhe në Kosovën Lindore.
Millan Antonijeviq, kryetar i Komitetit të Juristëve Për të Dejtat e Njeriut në Serbi, pohon se vendimi është problematik dhe i panevojshëm. “Nuk e shoh asnjë zgjidhje të mirë se si mund të bësh dallimin mes atyre që e kanë kryer detyrën me nder dhe profesionalitet… Drejtësi nuk do të ketë as për ata të cilët i ka detyruar Millosheviqi gjatë viteve 90-të të luftojnë dhe që meritojnë që shteti t’u kërkojë falje.
Le të kujtojmë vetëm mobilizimet e dhunshme gjatë luftës në Kroaci. Në vitin 2011 duhet të flasim për gjërat që u kanë ndodhur viktimave të luftës dhe jo për shpërblimin e atyre që kanë marrë pjesë në luftë. Ky është gabim i Ministrisë“, pohon Antonijeviq për Dojçe vele.
Këtë vendim e ka kundërshtuar edhe Ministria e Jashtme kroate. Nga Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova deri tani nuk ka ndonjë reagim të autoriteteve zyrtare.