Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 14:50

Policia serbe ka njoftuar arrestimin e gjashtë personave, të dyshuar si autorët e grabitjes së 850 mijë eurove vitin e kaluar në Beograd, ngjarje që u pagëzua me emrin “grabitja e shekullit”.

Lajmin e publikoi vetë shefi i policisë, Milorad Veljoviç, i cili ka saktësuar se mes të arrestuarve janë edhe dy personat që konsiderohen si “mendjet” e grabitjes. Ata janë Urosh Petroviç dhe Nenad Kurilo, të cilët drejtuan bandën që më 10 mars 2011 i preu rrugën dy automjeteve të një kompanie sigurie që transportonte paratë dhe grabitën plot 850 mijë euro.

Sipas numrit një të policisë serbe, Petroviç u arrestua në Zlatibor, Kurilo në Novi Sad, ndërsa të tjerët në Beograd dhe Kragujevc. Serbia, ashtu si dhe vendet e tjera të Ballkanit, ka pasur dhe ka ende një sërë bandash famëkeqe përgjegjëse për grabitje të dhunshme, zhvatje e shantazhe.

Mes tyre spikat klani i Zemunit, si dhe grupi kriminal i njohur me emrin Pantera Rozë, që përveç se në Serbi ka kryer një seri vjedhjesh në Evropë, e madje edhe në Japoni.