Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 18:49

Tripoli – Djali i liderit libian Moamer Gadafi, Seif al Islam, për të cilin është shpallur fletarrest ndërkombëtar, sot deklaroi se as ai, e as babai i tij nuk kanë urdhëruar vrasjen e demonstruesve, për çka janë akuzuar nga Gjykata penale ndërkombëtare.

Seif Gadafi për televizion rus “Rasha Tudej” deklaroi se demonstruesit kanë humbur jetën gjatë tentimeve që të hyjnë në objektet ushtarake dhe se sigurimi ishte detyruar të hap zjarr ndaj tyre.

Djali i Gadafit i akuzoi forcat perëndimore se intervenojnë në Libi për shkak të naftës dhe derivateve tjera, duke theksuar se qëllimi i tyre është “kontrolli” mbi Libinë.

Gjykata penale ndërkombëtare të hënën lëshoi fletarrest për liderin libian Momaer Gadafi, djalin e tij Seif al Islam dhe shefin e shërbimit të zbulimit libian Abdulla Senusi për krimet e kryera kundër njerëzimit.