Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 16:23

Sarajevë – Parlamenti i Bosnjë e Hercegovinës sot, shtatë muaj pas zgjedhjeve, zgjodhi kryetarin dhe komisionin, i cili do ts përgatitë zgjedhjen e qeverisë së re.

Deputeti i Partisë Socialdemokratike, Denis Beçiroviq u zgjodh kryetar i Dhomës së Ulët të parlamentit boshnjak. Për zëvendës kryetarë janë zgjedhur Milorad Zhivkoviq nga Lidhja e socialdemokratëve të pavarur dhe Bozho Ljubiq, lideri i Bashkësisë demokratike kroate (HDZ) 1990.

Është formuar edhe Komisioni, i cili do ta përgatisë zgjedhjen e qeverisë së re qendrore.

Kryesia kolektive, e përbërë nga Beçiroviq, Zhivkoviq dhe Ljubiq duhet në afat prej 15 ditëve të propozojë kandidat për funksionin e kryeministrit.

Zgjedhjet parlamentare në BeH u mbajtën më 3 tetor, pas çka vendi u përball me krizën më të gjatë politike që nga fundi i luftës në vitin 1995. Republika Serbe dhe Federata BeH tashmë kanë formuar qeveritë e tyre.

Përfaqësuesja e lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, gjatë vizitës në BeH më 13 maj shprehi brengosje të thellë nga zhvillimi i situatës në vend. Ajo bëri thirrje për formim të shpejtë të qeverisë qendrore në të cilën do të inkuadrohen përfaqësuesit e tre bashkësive.