Lajme Shqip Tuesday, 10 April 2012 08:20

Përgjatë gjithë ditës së djeshme, Rick Santorum nuk ka planifikuar asnjë event në funksion të fushatës së tij zgjedhore.

Kandidati ultrakonservator në garën për nominim brenda kampit republikan do të qëndrojë përkrah të bijës tre vjeçare Bella, të shtruar në spital për të dytën herë brenda pak kohësh. Vajza ka lindur me një anomali te rrallë kromozomike, trisomia 18 apo sindromi Eduards, që vonon zhvillimin mendor.

Zakonisht, të lindurit me këtë sindromë vdesin brënda vitit të parë të jetës. Pas një pauze gjatë fundjavës për festën e Pashkëve, Santorum duhet të riniste fushatën në Pensilvani, vendin e tij të lindjes ku parapraket do të mbahen më 24 prill.

Kandidati ultrakonservator, një katolik i devotshëm dhe kundërshtar i fuqishëm i abortit e martesave mes homoseksualëve, i pati anulluar edhe në janar disa etapa të fushatës së tij, përfshi atë strategjike në Florida, pikërisht për shkak të sëmundjes së të bijës.

Santorum dhe e shoqja kanë 6 fëmijë. Ish-senatori i Pensilvanisë renditet i dyti në garën për nominim, por Santo, siç e quan shtypi amerikan, është shumë pranë numrit një të listës, ish guvernatorit të Massachusetts -it, Mitt Romney.

Edhe pse pozicioni i këtij të fundit tashmë duket i qëndrueshëm dhe shumë mendojnë se e ka të siguruar kandidaturën, një disfatë në Pensilvani mund ta vinte seriozisht në dyshim kryesimin e tij.