Lajme Shqip Monday, 21 March 2011 15:05

Londër – Ministria britanike e Mbrojtjes kumtoi sot se gjatë sulmeve të mbrëmshme mbi Tripolin, bombardierët “Tornado” nuk i kanë gjuajtur raketat e tyre dhe janë kthyer në bazë, për shkak të rrezikut për rrëzimin e tyre në rajonet dendur të banuara dhe të shkaktojnë viktima midis civilëve libianë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Londra.

Një përfaqësues i Ministrisë deklaroi se bombardimi, i cili hynë në ditën e tretë, është “i suksesshëm dhe është në kuadër të mandatit të Kombeve të Bashkuara për krijimin e zonës për fluturime të ndaluara”, duke insistuar se nuk ka njohuri për viktima në mesin e popullatës lokale.

Kumtesa e këtillë e Londrës vjen pas akuzave të pushtetit në Tripoli për “numrin e madh të viktimave në njerëz” në mesin e popullatës gjatë valës së parë së bombardimit dhe gjatë sulmit të mbrëmshëm të kompleksit të ndërtesave, ku jeton koloneli Moamer Gadafi.

Një përfaqësues i Ministrisë britanike i hodhi poshtë akzuat e Qeverisë libiane për të cilat tha se “nuk ka kurrfarë dëshmi për këtë”, por e akuzoi armatën libiane se vazhdon me “vrasjen e civilëve në Bengazi dhe Misurata”, duke iu referuar vetëm pohimit të kundërshtarëve të regjimit të Gadafit dhe të “deklaratës së dëshmitarëve okularë”.

Fjalimi i parë deri te opinioni britanik i përfaqësuesit ushtarak britanik, nga fillimi i bombardimit kundër Libisë, përkon me rezervat e zmadhuara në botë, e veçanërisht në Lidhjen Arabe, se “bombardimi dhe viktimat në terren” nuk janë ato që i parasheh mandati i Këshillit të Sigurisë.

Kryetari i Lidhjes, Amër Musa, i cili është njëri nga kandidatët udhëheqës për president të ri të Egjiptit, deklaroi sot se Lidhja Arabe “parimisht” vazhdon ta mbështesë rezolutën e KB-së, por se është kundër viktimave në mesin e civilëve si pasojë e sulmeve ushtarake, si dhe se nuk do të pranojë shkarkimin e trupave të huaj në territorin e Libisë.

Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Uilliam Hejg tha se “bota është e bashkuar rreth nevojës që të mbrohen civilët e regjimit të Gadafit”, duke pohuar se Lidhja arabe mbetet me forcat e koalicionit. Diplomacia britanike insiston se mbështetja e vendeve arabe ka “rëndësi kurciale” për të gjithë operacionin. Rusia vetëm se ka paralajmëruar se fuqia e bombardimit e tejkalon mandatin e KB-së dhe se nuk është e lejueshme “vrasja e civilëve”.

Rezerva ndaj rrjedhës së deritanishme nga misioni në Libi shprehën edhe Kina, India, Brazili dhe Gjermania. Turqia kanoset me veto në NATO rreth involvimit të saj në zonën e fluturimeve të ndaluara mbi territorin libian