Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 15:39

Serbët e Kosovës që kanë aplikuar për nënshtetësinë Ruse kanë mbetur me gishta në gojë, pasi që Rusia u ka refuzuar një kërkesë të tillë, njoftojnë mediat. Presidenti rus Dmitrij Medvedev, e ka shqyrtuar kërkesën e serbëve të Kosovës për shtetësi ruse, por sipas Ligjit për shtetësi të Rusisë nuk mund t’iu përgjigjet kërkesës së tyre, ka thënë për media zëdhënësi MPJ të Rusisë, Aleksandar Lukasheviq. Sipas tij Rusia do të dërgojë të gjitha llojet e ndihmave për serbët në veri të Kosovës ndërsa përmes UNESCO-s do të ndihmojë objektet fetare serbe. Burimet serbe theksojnë se Ambasadës ruse në Beograd i kishte shkuar kërkesa serbe me 22 mijë lutje për shtetësi ruse. Sipas mediave njëri nga iniciatorët e kësaj kërkese dhe kryetar i organizatës së ashtuquajtur “Serbia e Vjetër” kishte thënë se serbët janë të pakënaqur me bisedimet në Bruksel dhe se marrja e shtetësisë ruse do ta pengonte islamizimin e Kosovës.