Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 10:10

Bukuresht – Qeveria e Rumanisë ka rënë nga pushteti pasi nuk i ka mbijetuar një votëbesimi, vetëm dy muaj pasi kishte marrë detyrën.

Votëbesimi u kërkua nga opozita, pas irritimit të popullsisë për masat anti-krizë të kryeministrit në ikje Mihai Razvan Ungureanu. Koalicioni i qendrës së djathtë kishte shkurtuar rrogat dhe kishte ngritur taksat, në përpjekje për të vendosur ekonominë në një terren më të sigurtë.

Presidenti Traian Basescu do të emërojë kryeministrin e ri, i cili më pas duhet të marrë miratimin e Parlamentit. Lideri i opozitës, Vicot Ponta mirëpriti votimin duke thënë se ai shënon fundin e “një sistemi abuziv që përdor çdo armë për të arritur qëllimin”. “Sot u vendos drejtësia”, dkelaroi ai.

Nëse ligjvënësit nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje për kryeministrin e ri, zgjedhjet parlamentare të parashikuara në nëntor do të mund të afrohen. (T.Ch)