Lajme Shqip Tuesday, 24 April 2012 12:07

Romë – Thellohet edhe më shumë skandali seksual në të cilin është përfshirë ish kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni pasi e përditshmja italiane La Republica publikoi përgjimet telefonike të kërcimtares marokene. Në bisedat me një mikeshën e saj, Karima El Mahroug e njohur me emrin e saj të skenës, Rubi shprehet se Berluskoni kishte ofruar të paguante miliona euro për heshtjen e saj. Madje gjatë bisedës të bërë me shoqen e saj Antonella në tetor 2010, Rubi thotë se i jepte 47 mijë euro në javë.

“Ai më morri dje dhe më tha Rubi do të jap sa para të duash, do të mbuloj me ar, mjaft që të fshehësh gjithcka dhe mos i trego asgjë askujt. E ndërsa shoqja e pyet se sa miq të ngushtë janë ata të dy, Rubi përgjigjet. “Po jemi shumë miq, shkoj në shtëpinë e tij dhe ai më jepte 47 mijë euro në javë. Por njerezit mendojnë menjëherë keq, thonë kjo vajzë e bukur do ketë patur ndonjë gjë me të, do ketë bërë seks, por nuk është kështu”

Përgjimet nuk përmbajnë detaje të reja mbi skandalin e festave private në rezidencën e Berluskonit, por forcojnë dyshimet e prokurorëve se ish kryeministri ka bërë përpjekje për të mos lejuar të merrej vesh marrëdhënia e tij me Rubin. Në një tjetër bisedë, e pyetur nëse kishte frikë nga shpërthimi i historisë së saj në media Rubi përgjigjet: Jo skam fare frikë nga asgjë. Unë kam kaq shumë para dhe do të bëhem e famshme. Për çfarë duhet të kem frikë.

Çështja Rubi, siç njihet ndryshe, më spektakolarja nga skandalet që rrethojnë Berluskonit është veçanërisht e rrezikshme pasi ish kryeministri akuzohet se ka paguar për të kryer marrëdhenie me Rubin kur ajo ishte minorene. Veç kësaj, pjese paditëse është edhe akuza se Berluskoni shfrytëzoi postin për ti kërkuar policisë së Milanos të lironin Rubin, rast për të cilin ish kryeministri ka thënë se mendonte që vajza ishte mbesa e presidentit egjiptjan Hosni Mubarak. (Lajmeshqip.com)