Lajme Shqip Friday, 17 August 2012 21:28

SHBA – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama është vënë në “shënjestrën” e një grupi ish-agjentësh të CIA-s dhe ish-ushtarakësh të lartë, përfshirë të njësisë Navy Seal.

Grupi në fjalë, në një video e akuzon ashpër presidentin se ka nxjerrë për qëllime politike informacione “jetike” mbi operacionin ku mbeti i vrarë Osama bin Laden, si dhe mbi operacione të tjera “top-secret”, të rëndësishme për sigurinë kombëtare.

Për momentin videoja 22 minuta e gjatë dhe me titull “Dishonorable Disclosures” është publikuar vetëm në internet, por shumë shpejt mund të transmetohet edhe nga stacione televizive të shteteve “kyçe” për zgjedhjet presidenciale të 6 nëntorit të ardhshëm.

Ish-agjentët sekretë të CIA-s dhe ish-ushtarakët e lartë, që janë mbledhur në një grup të quajtur Special Operations Opsec Education Fund, prezantohen si elementë jopartiakë.

Ata deklarojnë se misioni i tyre është vetëm ai për të ndalur politikanët që të vënë në rrezik jetën e amerikanëve duke përdorur informacione sekrete për qëllime politike.

Iniciativa “ringjall” gjithashtu një seri akuzash të bëra ndaj Obama-s nga rivali i tij për president Mitt Romney si dhe nga eksponentë të shumtë të Partisë Republikane dhe të Tea Party.

Informacionet për të cilat grupi pretendon se kanë rrjedhur kanë të bëjnë, përveç operacionit të 2 majit në Abotabad, edhe me luftën kibernetike ndaj Iranit, sulmet e kryera me dronë, një operacion i rëndësishëm sekret në Jemen dhe shumë të tjera.

Ndër të tjera, Obama akuzohet se ka marrë padrejtësisht meritën për vdekjen e Bin Laden, “e cila nuk është e tija por e Amerikës”.