Lajme Shqip Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 11:37

Washington – Ekipet për shpëtim po përpiqen të vijnë deri te disa mijëra njerëz të izoluar nga vërshimet në disa qytete në shtetin amerikan Vermont, Nju-Xhersi dhe Nju-Jork, ndërsa, sipas informacioneve më të reja, numri i viktimave nga uragani Irene arriti në 50.

Persona zyrtarë kumtuan se viktimat nga uragani janë regjistruar në 11 shtete amerikane, tetë në shtetin Nju-Jork, shtatë në Nju-Xhersi dhe gjashtë në Karolinën Veriore. Vlerësimet janë se uragani ka shkaktuar dëme materiale prej rreth shtatë miliardë dollarësh.

Presidenti amerikan Barak Obama kërkoi nga persona të lartë zyrtarë që t’i shqyrtojnë masat në një pjesë të rajoneve të goditura rëndë. Rezerva urgjente të ushqimit me aeroplanë janë dërguar deri te dhjetëra grupe të njerëzve në rajonet e vërshuara, njoftojnë mediat amerikane.

Autostrada kryesore për Uillmingtonin në Vermont është mbuluar me baltë, derisa shiu shkaktoi dëmtime serioze në disa pjesë të kësaj autostrade dhe në rrugë të tjera. Meteorologët kumtuan se për një ditë ka rënë shi sa për dy muaj mesatarisht.

Në disa pjesë të Nju-Xhersit dhe Nju-Jork, disa shkolla dhe qendra komunale janë shndërruar në strehimore të improvizuara të Kryqit të Kuq. Miliona amerikanë janë pa energji elektrike në shtëpitë e tyre, kryesisht në Virxhinia dhe në Karolinën Veriore, ku erërat e uraganit Irene ishin më të fuqishme.