Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 17:46

Në një deklaratë nga forcat e sigurisë lokale (PCP) theksohet se janë rrëmbyer 20 persona, në rajonin Olinala 190 kilometra në afërsi të Chilpancingo të rajonit Guerrero, në Meksikë.

Në deklaratë vihet në dukje se mes të rrëmbyerve ndodhen gra dhe fëmijë dhe theksohet gjithashtu se përgjegjës për këtë është organizata lokale politike Antorcha Campesina e cila drejtohet nga Partia Revolucionare Institucionale që ka në dorë drejtimin e rajonit.

Në deklaratën ku theksohet se zyrtarët lokalë po përpiqen të mënjanojnë PCP e cila lufton me organizatat kriminale dhe nëpunësit që marrin ryshfet pretendohet se: “Policia lokale dhe anëtarët e Antorcha Campesina drejtojnë rajonin me forcën e armëve”.

PCP e cila ngjarjen e cilëson si një “provokim qesharak” ka njoftuar se nëse drejtuesit e rajonit Guerrero do të mbështesin këtë krim atëherë kjo do të jetë një “marrëzi politike”.

Edhe kryepeshkopi i rajonit Guerrero, Carlos Garfias Merlos duke dënuar sulmet ndaj PCP dhe rrëmbimin e 20 personave, ka mbrojtur idenë se autoritetet duhet të punojnë në koordinim me PCP e cila mundëson sigurinë e popullatës së rajonit.

PCP e cila nuk ka lidhje me autoritetet zyrtare u krijua 3 vite më parë veçanërisht për të mbrojtur popullatën nga kartelët e drogës dhe bandat.

Ngjarja e rrëmbimit ka ndodhur 1 ditë pas vrasjes së Miguel Angel Jimenez, liderit të një tjetër force lokale të sigurisë të ngjashme me PCP në Guerrrero. Jimenz ishte i angazhuar në aktivitetet për organizimin dhe kërkimin për gjetjen e 43 studentëve të rrëmbyer në shtator vitin e kaluar.

Në Guerrero që është një prej rajoneve me më shumë ngjarje të dhunshme në vend dhjetëra banda kriminale operojnë në trafikun e drogës, në aktet e gjobvënies dhe të rrëmbimeve.

Sipas statistikave zyrtare vitin e kaluar në Guerrero të paktën 1 mijë e 514 persona janë vrarë.