Lajme Shqip Saturday, 10 March 2012 13:40

Shkup (PLOTESUAR 10 Mars, 17:40)- Vetëm pak minuta pas publikimit të deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se janë arrestuar sulmuesit e nxënësve shqiptarë në autobusin numër 58 të mërkurën në mbrëmje dhe se ndaj tyre janë ngritur padi penale.

Bëhet fjalë per persona B.K i quajtur ” Piskul” 19 vjecar, M.J i quajtur ” Marçe” 18 vjec, Gj.M i quajtur “Gogo” 17 vjecar, S.K i quajtur “Kondo” 17 vjec, S.T ” Macka” 17 vjec, A.R i quajtur “Piljo” 17 vjecar si dhe personi me inicjalet F.J i quajtur “Pipo” gjithashtu 17 vjecar.

****************************

Shkup (PLOTESUAR 10 mars, 17:10) Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka reaguar për sulmet e fundit ndaj shqiptarëve, ku u rrahën 15 nxnënës shqiptarë në një autobus të Shkupit.

Gruevski ka dënuar incidentet dhe ka bërë thirrje qe të gjitha subjektet politike ta respektojnë bashkëjetesën. Kryeministri ka kërkuar gjithashtu që personat përgjegjës të dënohen.

“Dënoj sjelljen e disa personave që ndermarrin këto hapa të pamenduar. Kjo është e pandershme dhe e paligjshme. U bëj apel të gjithëve të vetëpërmbahen nga incidente të tilla. Apeloj tek të gjithë të sillen në frymen e asaj që kemi ndertuar me vite e me shekuj” theksoi kryeministri.

Në incidentin që ndodhi të mrëkurën në mbrëmje në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, mbi 20 persona të maskuar kanë hyrë në një nga autobusët urban, duke ushtruar dhunë ndaj 15 nxënësve shqiptarë, pesë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Tetë të rinj maqedonas dyshohen si autorët e dhunimit të 15 nxënësve shqiptarë në autobusin që transportonte nxënësit e fshatit Çiflik drejt Shkupit.

*****************************

Uashington (PLOTESUAR 10 mars, 14:30) Zëvendës- ndihmës sekretari amerikan, Filip Riker ka dënuar incidentet në Maqedoni dhe bëri thirrje për ruatjen e qetësisë.

Ish-ambasadori amerikan në Shkup, Riker ka dënuar edhe rrahjen e nxënësve shqiptarë që ndodhi të mërkurën në mbrëmje. “Ata që sulmojnë fëmijët, nxënësit, me të vërtetë janë frikacakët më të mëdhenj“, deklaroi Riker, në një brifing me gazetarët gjatë konferencës së mbajtur për Ballkanin në kuadër të Qendrës për gazetarë të huaj në Uashington.

I bëj thirrje të gjitha palëve të rrijnë qetë. Duhet të veprohet në bazë të ligjit, autoritetet të vlerësojnë faktet se çfarë ka ndodhur dhe të zbatohet një proces ligjor“, deklaroi Riker, duke komentuar incidentet e fundit, që siç thuhet kanë rritur tensionet ndëretnike.

Sipas tij, Ballkani akoma është prioritet për administratën amerikane, ndërsa rruga për stabilitet dhe prosperitet të këtij rajoni është integrimi evroatlantik. Ai ka përsëritur faktin se pa zgjidhjen e emrit nuk mund të bisedohet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

“Ne veçmas dëshirojmë që Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe në këtë drejtim, ne dhe të gjithë aleatët, do të dëshironim që sa më shpejt të jetë e mundur të zgjidhet kontesti i emrit me Greqinë“, theksoi zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, duke përshëndetur takimin e fundit të dy kryeministrave për vazhdimin e procesit të dialogut për zgjidhjen e kontestit të emrit.

 ******************************

Tiranë – Tre ditë pas incidentit të rradhës në Maqedoni, ku u rrahën në Shkup 15 nxënës shqiptarë, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë kujtohet të dënojë ngjarjen.

Në njoftimin e publikuar në faqen e internetit thuhet se Ministria e Punëve të Jashtme dënoi sot dhunën e ushtruar mbi nxënësit shqiptarë në Shkup, tek ktheheshin nga festimet e ditës së mësuesit.

Me anë të një njoftimi për shtyp, MPJ “beson në hetimin e plotë të kësaj ngjarje nga autoritetet e zbatimit të ligjit, vënien përpara drejtësise dhe ndëshkimin e fajtorëve”.

Sipas MPJ-së, ngjarje të tilla, të cilat cënojnë harmonine dhe bashkëjetesën në Maqedoni, duhet të tejkalohen me qetësi dhe maturi nga shqiptarët dhe nga gjithë etnitë e tjera atje.

Në incidentin që ndodhi të mrëkurën në mbrëmje në lagjen Kisella Vodë të Shkupit, mbi 20 persona të maskuar kanë hyrë në një nga autobusët urban, duke ushtruar dhunë ndaj 15 nxënësve shqiptarë, pesë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Tetë të rinj maqedonas dyshohen si autorët e dhunimit të 15 nxënësve shqiptarë në autobusin që transportonte nxënësit e fshatit Çiflik drejt Shkupit. (LajmeShqip.com)