Lajme Shqip Friday, 18 September 2015 14:55

Një grup romësh nga Ballkani, të prezantuar si shoqata “Roma Jekipe Ano Hamburg” (Romët e Bashkuar në Hamburg) e mbajnë “të pushtuar” nga pasdita e djeshme ndërtesën e njohur të këtij qyteti, kishën “Michel”. Në këtë mënyrë ata po protestojnë kundër dëbimit nga Gjermania në Ballkan që ju kanoset në javët që vijnë.

Bëhet fjalë për rreth 20 familje rome, të cilat pritet të riatdhesohen në Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe në Kosovë, shkruan welt.de.

“Ne do ta mbajmë të okupuar `Michel`-in deri në realizimin e qëllimit tonë”, thotë Romana Schneider nga shoqata e përmendur, transmeton albinfo.ch. Protestuesit kanë shpalosur edhe transparente në gjuhën gjermane dhe serbe, në të cilat kërkojnë t`u lejohet qëndrimi në Gjermani.

Sipas këshilltares së parlamentit të Hamburgut, Christiane Schneider nga partia e majtë, romët kanë kërkuar dialog me pastorin kryesor të kishës, Alexander Röder të cilin e kanë lutur për t`u siguruar strehim dhe ndihmë kundër dëbimit. Priftërinjtë, nga ana e tyre kanë ofruar ndërmjetësim për bashkëbisedim në mes të një grupi përfaqësuesish të shoqatës dhe atyre të komunës. Bisedimet kanë vazhduar deri vonë të enjten.

Arsyeja e kësaj proteste është gjendja e cila i pret romët nëse kthehen në vendet e prejardhjes.

“Vendet e Ballkanit janë klasifikuar si vende të sigurta por për romët ato nuk ofrojnë siguri”, thonë aktivistët. “Atje mbretëron një përzierje e rrezikshme e racizmit te shumica e popullit dhe te institucionet shtetërore. Qasja për vende pune, arsimim dhe për shëndetësi mbetet e paarritshme për romët” thotë Romano Schmidt nga organizata rome e Gjermanisë “alle bleiben¨”./albinfo.ch/