Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 13:45

Shkup – Besoj se Maqedonia duhet dhe do të bëhet pjesë e NATO-s dhe, gjithashtu, besoj se Shkupi dhe Athina mund të vijnë deri te kompromisi lidhur me çështjen e emrit, gjë që më pas do t’i mundësonte vendit të bëhet anëtare e Aleancës dhe e BE-së.

Këtë në intervistë për programin “Porta” të TVM-së e bëri të njohur ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, i cili në vitin 2001 u kyç në zgjidhjen e konfliktit në Maqedoni dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Mendoj se çështja për emrin duhet të zgjidhet me negociata midis liderëve politikë të Maqedonisë dhe Greqisë, që të vihet deri te kompromisi i duhur. Besoj se asnjëra nga palët nuk do të jetë e kënaqur. Por, po të isha unë lider politik në Maqedoni do të bëja gjithçka që është e mundur që t’i shfrytëzoj përparësitë nga anëtarësimi në NATO, para së gjithash ato të sigurisë dhe ato ekonomike, të cilat do t’i sillte ai, dhe mendoj se është e vlefshme të bëhet kompromis që vendi të bëhet pjesë e NATO-s ose të marrë një lloj shpërblimi të madh. Prandaj pres liderët politik në Shkup ta bëjnë këtë hap edhe atë shumë shpejt”, ka thënë Robertson.

Si shembull për lidership politik e theksoi presidentin Boris Trajkovskin, i cili para 10 viteve, siç thekson, edhe krahas asaj që ka pasur shumë kritika dhe sulme mbeti fuqishëm në qëndrimin se e ardhmja e shtetit është më e rëndësishme. I pyetur se pse emri i cili është çështje bilaterale është pengesë për hyrjen e Maqedonisë në NATO, Robertson përgjigjet se “realiteti është i tillë që të bëhet ndonjë shtet anëtare e Aleancës duhet pasur konsensus nga të gjitha anëtaret”.

“Me siguri këtu është një problem i cili duhet të zgjidhet me bisedime, diskutim, me diplomaci dhe me kompromis. Mendoj se populli në Maqedoni duhet të kthehet nga e ardhmja ta shohë atë zgjidhje si mundësi për realizimin e të ardhmes më të mirë dhe të mos e lëshojë këtë moment të mundësisë për inkuadrim në NATO”, ka thënë ish-njeriu i parë i Aleancës Veriatlantike, George Robertson. (LajmeShqip.com)