Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 18:18

TIRANE-Presidenti i Italisë, Giorgo Napolitano ka anuluar darkën zyrtare në Berlin me kandidatin kryesor për kancelar në Gjermani Peer Steinbrueck, që ishte e programuar paraprakisht. Arsyeja e anulimit ka ndodhur si pasojë e komenteve mbi rezultatin e zgjedhjeve elektorale në vend, që u mbyllën të hënën. Diplomati gjerman ka komentuar duke thënë: “Kanë fituar dy palaço, Grillo dhe Berluskoni, që ka tepricë testosteroni”.

Kreu i shtetit italian, gjatë një vizite në Mynih ka shpjeguar se nuk ka ndërmend ta kryejë takimin zyrtar. “E respektojmë Gjermaninë, por pretendojmë që gjithashtu të na respektojnë”, – ka deklaruar Napolitano. “Unë përfaqësoj bashkimin dhe dinjitetin kombëtar. Mendoj që nuk ishin më kushtet për një takim të mirëfilltë diplomatik, pas deklaratave krejtësisht pa vend që bëri Steinbrueck”, – ka vijuar më tej, presidenti. Njoftimin për anulimin e takimit e dha vetë zëdhënësi i diplomatit gjerman, duke sqaruar se është kërkuar nga pala italiane. Steinbrueck, ish-ministër i Financave, i njohur për mënyrën e tij të drejtpërdrejtë të komunikimit, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është tërhequr aspak nga deklaratat ofenduese. “Ajo që u tha, u tha. E kuptoj vendimin e Napolitanos”, – ka thënë ai gjatë një konference për mediat. Kancelarja gjermane në fuqi, Angela Merkel nuk ka pranuar ta komentojë këtë incident diplomatik midis dy vendeve. “Kjo është një histori interesante, por nuk e komentojmë”, – ka thënë kancelarja. Nga ana tjetër, ajo është shprehur se qeveria gjermanë është e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë italiane, cilado qoftë ajo. “Është vetë Italia që duhet të mbajë përgjegjësinë për krijimin e një qeverie të denjë për të vepruar. Presidenti i Republikës, Giorgo Napolitano ka një rol kyç në këtë fazë”, – ka përfunduar Merkel.

Zgjedhjet parlamentare në Itali janë mbyllur me një diferencë tejet të ngushtë midis dy forcave kryesore. Qendra e majtë e Bersanit ka marrë 1% më shumë se Qendra e djathtë e Berluskonit. Asnjëra nga partitë nuk e formon dot e vetme qeverinë. Aludimet për formimin e qeverisë së re janë të shumta. Mediat italiane raportojnë se asnjëra prej palëve nuk po arrin të krijojë një marrëveshje për bashkëpunim. Kërkesës nga Bersani për koalicion, lideri i “Lëvizjes 5 Yjet”, tashmë forcë e tretë udhëheqëse, Beppe Grillo, i quajtur ndryshe edhe si “fituesi moral”, i është përgjigjur me ofendime dhe sharje publike, kundrejt figurës së “fituesit” të zgjedhjeve. “Partia jonë nuk ka në plan të pranojë marrëveshje, as me Bersanin e as me këdo tjetër. Ne do të jemi në parlament, për të votuar ligjet që na duken të arsyeshme, kushdo që t’i propozojë. Bersani prej ditësh vazhdon të na bëjë propozime të padenja, në vend që të japë dorëheqjen”, – deklaroi Grillo. Nga ana tjetër, Bersani i ka bërë thirrje BE-së që rezultatin e zgjedhjeve ta marrin si një mesazh që vjen nga italianët, të cilët votuan në mesin e një krize të rëndë ekonomike dhe duke vuajtur. “BE të mos bëhet e shurdhër”, i ka thënë ai Presidentit të Francës, Hollande, gjatë një telefonate të gjatë shkëmbimi mendimesh. Ndërkaq, Italia jo vetëm që nuk ka një qeveri, por përfaqësuesit politikë nuk kanë ende asnjë plan konkret për të formuar një të tillë.(LajmeShqip.com)