Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 21:17

Kanë rinisur me dallime të thella mes paleve, bisedimet mes Prishtinës e Beogradit të ndërmjetesuara nga Bashkimi Europian pas disa muajsh ndërprerje. Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, njekohesisht shefe e delegacionit të Kosovës, tha se të gjitha marrëveshjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.  

“Ne kemi tashmë një ligj për menaxhimin e integruar të kufijve ndaj do të perpiqemi të arrijme një marrëveshje që reflekton ligjet europiane në këtë drejtim, por çdo tendencë për të politizuar këto bisedime do të perjashtohet nga ne. Sfida me e madhe është se si ta bëjmë Serbinë të implementojë marrëveshjet e arritura në raundet e kaluara”.-tha ajo. Ndërsa kreu i delegacionit serb, Stefanoviç u shpreh se Serbia është mëse e gatshme të implementoje këto marrëveshje por se ka vështiresi teknike që kërkojnë kohë të zgjidhen dhe se Beogradi nuk do të pranojë asgjë që bie ndesh me Kushtetutën e Serbisë. “Nuk do të lejojmë që të na fusin në ndonjë kurth me implementimin nëse kërcenohet integriteti i vendit tonë. Qeveria do të gjejë mënyrat për të implementuar këto marreveshje por nuk do ta bëjmë kurrë në ndonjë mënyrë që mund të cënojë kushtetutën tonë.”-tha Stefanoviç.  Siç raporton REL, palët shkëmbyen kritika pikërisht rreth implementimit të marreveshjeve. Stefanoviç fajësoi kokëfortësinë e Prishtinës ndersa Tahiri kritikoi Serbinë për mungesë vullneti politik.