Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 21:15

Shkup – Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti  ka falënderuar mikun e tij, z. Riker, për vizitën e bërë duke theksuar komoditetin e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe qytetarëve për faktin që pikërisht z. Riker ndjek situatën në Maqedoni nga Uashingtoni ndërsa në Shkup kemi Ambasadorin Volers, një njohës shumë i mirë i Maqedonisë dhe i rajonit. 

Ambasadori Riker shprehu përkrahjen për procesin integrues euroatlantik të Maqedonisë si dhe mirëpriti zhvillimin e Dialogut Substancial me Bashkimin Evropian si një hap inkurajues për vazhdimin e reformave në vend”, thuhet në njoftimin e BDI-së mbi takimin.

Ahmeti dhe zyrtarët amerikanë kanë folur edhe për rëndësinë e madhe dhe imediate që të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë që po mban këtë vend jashtë NATO-së dhe BE-së.

Kryetari Ahmeti theksoi takimet formale dhe joformale të përfaqësuesve të të dy qeverive, por nënvizoi nevojën për të bërë më tepër në mënyrë që të tejkalohet kjo çështje.

“Sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëdhënieve ndëretnike, kryetari Ahmeti e theksoi rëndësinë e madhe të mirëmbajtjes së marrëdhënieve të shëndosha midis komuniteteve, gjithnjë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. 

Në këtë frymë, BDI ndërmerr veprime që do të promovojnë vlerat e mirëkuptimit dhe të integrimit”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Bashkëbiseduesit gjithashtu thuhet të kenë diskutuar rreth procesit të reformave në Shqipëri përballë pritjeve të Bashkimit Evropian, përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës si dhe për nevojën e instalimit të dialogut të mirëfilltë edhe me Qeverinë e re të Serbisë. (INA)