Lajme Shqip Saturday, 20 August 2011 16:33

Gostivar – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e Rufi Osmanit ka akuzuar se zonat e përfshira në konfliktin e armatosur të vitit 2001 edhe më tutje mbeten të pazhvilluara dhe me infrastrukturë pothuajse të shkatërruar.

Sipas partisë së Osmanit, në ato zona nuk ka ujë të pastër për pije, nuk ka shkolla ose mësohet në shkolla me kushte shumë të vështira, pa ambulanca, pa rrugë, pa rrymë të qëndrueshme elektrike dhe pa mbrojtje shëndetësore dhe sociale.

Sipas kësaj partie, po të analizohet statusi i donacioneve të implementimit të Marrëveshjes kornizë nga Konferenca e Donatorëve, do të shihet se prej 50.390 milionë euro janë realizuar më shumë se 24 milionë  ose mbi 45 për qind e mjeteve.

“Në bazë  të disa hulumtimeve të bëra prej  85-91 për qind e njerëzve të këtyre regjioneve pohojnë se nuk kanë qasje në kanalet televizive, në shkolla të mesme, në qendrat për punë sociale, institucionet kulturore dhe në ndihmat sociale. Thjesht, janë pa mbrojtje shëndetësore dhe sociale dhe nuk gëzojnë as standardin minimal të ndihmës ekonomike dhe të sigurisë. Në vitin 2003 u zhvilluan aktivitete intensive në drejtim të  animimit të bashkësisë donatore në Shkup, për implementimin efikas të mjeteve të premtuara nga Konferenca e Donatorëve që u mbajt në Bruksel në vlerë prej 274 milionë eurosh. Por, në bazë të planit aksionar, afër 20 për qind  e këtyre mjeteve ishin paraparë të orientohen kah regjionet e përfshira me konfliktin e vitit 2001. Mirëpo, këto disi u shpërlanë dhe u politizuan”, kanë thënë nga Qendra analitike e RDK-së. Mirëpo, në realitet nuk ndjehen efektet nga shpenzimi i këtyre mjeteve, sepse ato janë humbur nëpër labirintet e buxhetit të shtetit.

“Zonat e përfshira në konflikt, sot përballen me varfëri ekstreme, mbi 90 për qind e popullsisë së këtyre zonave nuk kanë 70 për qind e të hyrave mesatare në nivel kombëtar dhe jetojnë në varfëri të skajshme. Në fushën  e sigurisë sociale gjendja e këtyre regjioneve është shumë e rënduar, ku vlen të përmenden kritereve irracionale për plotësimin e kushteve për marrjen e ndihmës sociale dhe reforma agrare me të cilën u përfshinë vetëm vendbanimet e Maqedonisë lindore”, kanë reaguar nga RDK e Osmanit.

‘Qeveria nuk arriti të forcojë strukturën sociale ekonomike rurale, të krijojë masa të mirëfillta mirëbesimi duke investuar në infrastrukturë publike dhe transfere të ndryshme të drejtuara kah mbrojtja sociale e zonave të përfshira me luftën e vitit 2011, si dhe zonave të tjera të banuara me shqiptarë. Qeveria, institucionet ndërkombëtare dhe organizatat joqeveritare, nëpërmes të programeve konkrete duhet të ndihmojnë në rindërtimin e regjioneve të  shkatërruara nga lufta, investime në ripërtëritjen e kapaciteteve të shkatërruara ekonomike dhe tjera”, kanë thënë në RDK. (LajmeShqip.com)