Lajme Shqip Monday, 13 August 2012 16:30

Shkup – “Sot në njëmbëdhjetë vjetorin e përfundimit të luftës së vitit 2001, Rilindja Demokratike Kombëtare shpreh mirënjohjen dhe respektin për të gjithë ata që luftuan dhe derdhën gjakun për të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve në Maqedoni dhe revoltën për shkëmbimin e turpshëm të këtyre idealeve me përfitimet e pushtetit, nga ata që në këto njëmbëdhjetë vite kanë mbushur xhepat e vet dhe të familjarëve të tyre”, thekson RDK.

Kjo parti shpreh zhgënjimin që edhe me Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimin e Kushtetutës, shqiptarët vazhdojnë të mos emërtohen ’popull’ si maqedonasit, por kanë gjithmonë emërtim dhe status juridik të njëjtë me romët, vllahët, turqit, serbët dhe boshnjakët. 

“Ndërkohë që maqedonasit në të gjitha kushtetutat e Maqedonisë dhe nenet përkatëse emërtohen ‘popull’, shqiptarët në Maqedoni njejtë si edhe romët, vllahët, turqit, serbët dhe boshnjakët – në vitin 1974 emërtohen ’kombësi’, në vitin 1991 ’nacionalitet’ dhe në vitin 2001 ‘pjesë e popullit’ në preambulë, ndërsa ’bashkësi’ në përmbajtjen e kushtetutës, në nenet 48, 56 dhe 78 – që të gjitha këto sinonime për pakicat kombëtare. Barazimi i statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve me statusin e pakicave kombëtare, të cilat janë në numër fare të vogël në Maqedoni, tregon mënyrën e funksionimit të shtetit dhe pabarazinë e shqiptarëve me maqedonasit. Shqiptarët në kushtetutat e Maqedonisë kurrë nuk janë emërtuar ’popull’ dhe nuk emërtohen as edhe sot, prandaj ata kurrë nuk kanë qenë e as nuk janë element shtetformues”, thekson kjo parti.

RDK bën thirrje për hapjen e një debati të gjerë publik, shoqëror dhe në media, për demistifikimin dhe sqarimin e drejtë e pa emocione të përmbajtjes konkrete të Marrëveshjes së Ohrit dhe shmangjen e mashtrimeve lidhur me përmbajtjen e saj.

“Pabarazia e shqiptarëve në Maqedoni kuptohet fare thjeshtë kur kujton se personi që u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës u mbrojt edhe me paratë e shqiptarëve të ndara nga Qeveria e Maqedonisë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët, ndërkohë që dhjetë viktimave të Lubotenit, për të cilat Gjykata e Hagës deklaroi se ishin fshatarë të pafajshëm të vrarë nga njësitet policore shtetërore, Qeveria e Maqedonisë për njëmbëdhjetë vjet as nuk e ka parë të arsyeshme të ndajë as edhe një denar të vetëm si dëmshpërblim”, thuhet në komunikatën e RDK. (LajmeShqip.com)