Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 15:25

Uashington – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Andres Fog Rasmusen dje në Marieta, në shtetin amerikan federal Gjorgjia, deklaroi se vdekja e Osama bin Ladenit nuk do ta ndryshojë strategjinë e NATO-s në Afganistan, transmetuan mediat amerikane.

Rasmusen ndodhet në një turne amerikane, që ka për qëllim ta nënvizojë rolin e SHBA-së në Aleancën 28-anëtarëshe.

Rasmusen deklaroi se ende është herët të thuhet nëse vdekja e Bin Ladenit i ka demoralizuar kryengritësit, por planifikuesit ushtarak presin përforcim të sulmeve kundër forcave të NATO-s.

Paraprakisht dje Rasmusen theksoi se Perëndimi duhet edhe më tej ta mbështesë Pakistanin, ku fshihej lideri i Al Kaedës, në luftën e tij kundër terrorizmit.

“Fakti se Osama bin Laden me vite të tëra fshihej në Pakistan, nxitë shumë çështje”, deklaroi shefi i NATO-s para biznes liderëve në Atlanta. Më pas, theksoi Rasmusen, jam i bindur se qeveria pakistaneze gjithashtu është e interesuar të gjejë përgjigje bindëse në këto pyetje.

Ai i lavdëroi përpjekjet, deri më tani të investuara nga ushtarët pakistanezë në luftën kundër kryengritësve islamik në rajon kufitar me Afganistanin.

“Mendoj, megjithatë, se mund të bëhet akoma më shumë”, nënvizoi Rasmusen.