Lajme Shqip Monday, 02 September 2013 16:08

Damask – Damasku ka bërë me dije se sulmi ndaj Sirisë do të ndihmojë terroristët e Al Kaedës.
Zëvendësministri i Jashtëm, Faisal Mekdad, i tha BBC se një grup i armatosur, i mbështetur nga Amerika, ka përdorur armët kimike.
Mekdad, një person me ndikim i regjimit, tha se çdo sulm ndaj Sirisë është një mbështetje për Al Kaedën dhe filialet e këtij grupimi terrorist.
Ndërkohë, një raport i spiunazhit francez bën me dije se regjimi i presidentit sirian, Bashar al Asad, ka plot 1 mijë ton gaz helmues.
Shtetet e Bashkuara duken të vendosura për të vepruar kundër këtij regjimi, ndërsa Sekretari i Shtetit, Xhon Kerri, tha se Asad iu bashkua Hitlerit dhe Sadam Hyseinit, që kanë përdorur armë kimike kundër popullit të tyre.
Të shtunën presidenti amerikan, Barak Obama tha se nuk do ketë sulm pa u marrë më parë një vendim nga Kongresi, që nis sesionin më 9 shtator.
Korrespondenti i BBC thotë se kjo është një nga çështjet më të nxehta me të cilat do përballet Obama në këtë mandat të dytë.
Politikanët e opozitës thonë se presidenti nuk do e marrë mbështetjen nga Kongresi.
Raporti i shërbimit sekret francez arrin në përfundimin se Asad ka të depozituar 1 mijë ton gaz nervor, përfshi gazin sarin dhe VX, agjentin nervor më toksik që është krijuar ndonjëherë.
Po ashtu në raport thuhet se Asad ka raketa që mund të arrijnë shënjestra në një distancë deri në 300 milje.
Shërbimi sekret francez po ashtu fajëson regjimin qeveritar për masakrën ku u vranë mbi 1400 civilë.
Sipas tyre, trupat e besuara të Asad kanë hapur zjarr me gaz sarin për të shkaktuar terror.
Memoja i është dërguar presidentit francez, që është angazhuar për të ndërhyrë ushtarakisht në Siri.
Ndërkohë, në Britani janë shtuar zërat se mund të ketë një votim të dytë në parlament për ndërhyrjen ushtarake në Siri, nëse do ketë prova të reja që mbështesin faktin se regjimi ka përdorur armë kimike.
Nëse qëndron raporti francez, kjo do të thotë se Asad ka në dispozicion një nga rezervat më të mëdha të armëve kimike në botë.
Diktatori ka në dispozicion edhe bomba që janë në gjendje të hedhin mbi 300 litra sarin.
Një burim i inteligjencës franceze tha se ata kanë më shumë se 25 vite që e mbajnë nën vëzhgim arsenalin kimik të Sirisë./tema/