Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 13:54

Tokio – Kompania elektroenergjetike e Tokios TEPKO, e cila punon për mirëmbajtjen e centralit të shkatërruar bërthamor “Fukushima 1”, zbuloi se niveli i jodit radioaktiv në ujërat e Pacifikut rreth Japonisë e ka tejkaluar kufirin e lejuar për 1.250 herë.

Një përfaqësues zyrtar anonim i Agjencisë japoneze për siguri bërthamore dhe industriale theksoi se kjo kompani në disa qindra metra nga bregu, në afërsi të reaktorit të parë, ka detektuar sasi të madhe të jodit radioaktiv 131.

Zëdhënësi i Agjencisë Hidehiko Nishijama deklaroi se niveli i radiacionit është “relativisht i lartë”, por se ndikimi i tij mbi jetën detare dhe ushqimin nga deti do të jetë i parëndësishëm, pasi që grimcat radioaktive “në masë të konsiderueshme do të treten” derisa të konsumohen nga llojet detare.

Organizata për mbrojtjen e mjedisit jetësor, ndërkohë, kumtoi se ekspertët e saj kanë filluar ta ndjekin nivelin e rrezatimit në afërsi të “Fukushima 1” në pjesën verlindore të Japonisë, pasi që vlerësojnë se autoritetet japoneze e zvogëlojnë rrezikun dhe sasinë e ndotjes radioaktive.

Në centralin bërthamor japonez në vijim janë aktivitete të  ftohjes së reaktorit të dytë me ujë të freskët, pasi që shfrytëzimi i ujit të detit mund të sjell deri te korozioni i pajisjes.

Bëhet fjalë për riparimin e ndriçimit dhe furnizimin me energji elektrike të kullës kontrolluese të reaktorit, kumtoi kompania TEPKO.