Lajme Shqip Tuesday, 11 December 2012 08:15

BEOGRAD– Përfaqësues të Partisë Radikale Serbe për Kosovën, kanë thënë se zbatimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në Jarinën, nënkupton vendosjen e kufirit mes “Serbisë dhe Shqipërisë së Madhe”.

Ky subjekt, përmes një komunikate për media, e ka quajtur veprimin e sotëm të qeverisë serbe si “tradhti të interesave kombëtare dhe shtetërore të serbëve”.

Ndërkohë, pjesëtarë të disa organizatave djathtiste kanë mbajtur në Beograd një marsh protestues me motin “Asnjëherë kufi- Kosova është Serbi”. 

Marshi është organizuar kundër fillimit të zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në vendkalimet kufitarë në Jarinë dhe në Merdare.

Duke filluar nga ora tetë e mëngjesit të ditës së sotme, ka nisur zbatimi i marrëveshjes së IBM-së në vendkalimet kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë.

Marrëveshja u materializua pas takimit të tretë, të 4 dhjetorit, në Bruksel, të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.(LajmeShqip.com)