Lajme Shqip Tuesday, 22 November 2011 09:20

Kajro – Qeveria e Egjiptit pardje dha dorëheqje pas shpërthimit të përleshjeve të ashpra në kryeqytetin Kajro dhe në qytete të tjera në vend, të cilën Këshilli i Lartë Ushtarak, i cili është bartës i pushtetit suprem, dje e pranoi, njoftoi zëdhënësi i Qeverisë, Mohamed Hegazi.

Hegazi deklaroi se në pajtim me rrethanat e vështira me të cilat po ballafaqohet vendi në këtë periudhë, Qeveria do të vazhdojë t’i përmbush obligimet e saj në tërësi.

Numri i viktimave nga dhuna në Kajro dhe qytetet tjera egjiptiane arriti në të paktën 33 persona, ndërsa janë lënduar rreth njëmijë. Këto janë protestat dhe përleshjet më të ashpra pas kryengritjes popullore kundër regjimit të presidentit Hosni Mubarak në fillim të vitit.

Dhuna shpërtheu gjatë protestave kundër pushtetit në tejmasë në duart e Këshillit të Lartë Ushtarak. Kjo ndodhi disa ditë para fillimit të zgjedhjeve të para parlamentare më 28 nëntor në Egjipt, pas kohës së Mubarakut.