Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 18:20

Shkup – Qeveria e Maqedonisë ka hequr dorë nga seanca e përbashkët që duhej të mbahej me qeverinë e Serbisë.

Nisma, të cilën në shtator të vitit të shkuar e zbardhi ambasadori i Serbisë në Shkup, Tomisllav Gjurin, doli pas takimit të dy presidentëve, Boris Tadiq dhe Gjorgje Ivanov.

Zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha, ka thënë se Qeveria nuk ka marrë vendim për të mbajtur një seancë të përbashkët me qeverinë serbe.

“Seanca e përbashkët mes Qeverisë së Maqedonisë dhe Serbisë ishte vetëm një ide që mund të ketë dalë pas ndonjë takimi të krerëve të shtetit. Në Qeveri nuk ka pas asnjë vendim të tillë dhe nuk është diskutuar për këtë çështje”, ka thënë zëdhënësi Hoxha, duke shtuar se në të ardhmen edhe mund të merren vendime për seanca të përbashkëta me qeveritë e rajonit, si porosi që vijnë nga Brukseli për bashkëpunimin rajonal.

Ndërkaq, partia pjesëmarrëse në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nuk e priti mirë idenë për një seancë të përbashkët të qeverisë së Maqedonisë dhe asaj të Serbisë, pasi që, sipas tyre, më logjike do të ishte që së pari kjo seancë të mbahej me Kosovën, si shtet prej të cilit Maqedonia ka më shumë përfitime ekonomike.

Pas takimit që pati presidenti serb Tadiq me homologun e tij maqedonas, Ivanov, në shtator të vitit të kaluar, Tadiq pati deklaruar se me presidentin maqedonas janë marrë vesh që në muajin dhjetor, qeveria e Serbisë dhe ajo e Maqedonisë të mbajnë një seancë të përbashkët. Kjo informatë u publikua nga mediat serbe, ndërsa Qeveria e Maqedonisë në atë kohë heshti. Vendimi i dy presidentëve nuk u realizua as dhjetë muaj më vonë, ndërkaq që hapësira për seanca të përbashkëta me qeveritë e rajonit mbetet e hapur. Takime të ngjashme kanë mbajtur Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, Greqia dhe Turqia, Spanja me Francën etj. (LajmeShqip.com)