Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 16:57

Grupi i xhihadistëve të Shtetit Islamik (ISIS) ka plane për qytetet e shenjta të Mekës, Medinës, dhe Jeruzalemit, dhe kërcënojnë Evropën dhe Rusinë, tha presidenti rus Vladimir Putin në samitin e Organizatës së Traktatit të sigurisë kolektive në Taxhikistan.

Putini situatën në lidhje me Shtetin Islamik e ka vlerësuar si “shumë serioze” dhe ka shprehur shqetësim në lidhje me kthimin e mundshëm të xhihadistëve nga shumë vende në Evropë, Bashkësinë e Shteteve të Pavarura dhe Rusisë, pasi kanë kaluar “trajnim ideologjik dhe ushtarak”, transmeton TetovaSot.

Ai tha se ishte koha për të vënë mënjanë ambiciet gjeopolitike dhe bashkësia ndërkombëtare të bashkojnë forcat për të luftuar kërcënimin e tillë siç është ISIS-i.

Presidenti rus ka apeluar të braktiset politika në standarde të dyfishta, si dhe përdorimin e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të grupeve terroriste për të arritur objektivat e tyre, duke përfshirë edhe ato që lidhen me përmbysjen e disa qeverive dhe regjimeve.

Putin theksoi se Rusia mbështet qeverinë siriane në luftën kundër terrorizmit dhe do të vazhdojë të bëjë këtë.