Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 12:34

Sipas presidentit ukrainas, Petro Poroshenko, i tërë kontinenti është i kërcënuar nga Kremlini. Sipas tij, Finlanda dhe vendet baltike mund të jenë shënjestrat e ardhshme të presidentit rus. Prandaj, ai kërkon krijimin e një force paqeruajtëse në lindje të Ukrainës.

“Putin dëshiron të shkojë aq larg sa do ta lejojnë. Ai e dëshiron krejt Evropën”. Në një intervistë dhënë disa gazetave evropiane, presidenti ukrainas Petro Poroshenko vlerëson se i tërë kontinenti është i kërcënuar nga Kremlini. Sipas tij, Finlanda dhe vendet baltike mund të jenë shënjestrat e ardhshme të presidentit rus. “Dhe kjo është arsyeja pse ne kur flasim për ukrainasit që po luftojnë në lindje të vendit tim nuk flasim vetëm për luftën për integritetin dhe pavarësinë e Ukrainës: ne luftojmë për demokracinë, për lirinë, për sigurinë e tërë kontinentit evropian”, vazhdon kreu i shtetit ukrainas.

Petro Poroshenko u bën thirrje perëndimorëve që të marrin masa përballë kësaj situate. Të martën, Bashkimi Evropian ka dënuar rritjen e tensioneve në rajon, duke vlerësuar se kjo përbën shkelje të Marrëveshjes së Minskut. E nënshkruar në shkurt, ajo përveç armëpushimit mes forcave ukrainase dhe separatistëve parasheh edhe tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit dhe një reformë kushtetuese që i jep më shumë autonomi lindjes së Ukrainës. BE ka dënuar edhe incidentet në të cilat anëtarë të OSBE-së në Ukrainë kanë qenë në shënjestër ose janë gjendur në mes të dy zjarreve.

Presidenti ukrainas propozon kështu krijimin e një force paqeruajtëse në lindje të Ukrainës, e cila do ta vëzhgonte respektimin e armëpushimit.

“Përshkallëzim i ri i luftimeve”

Ndërsa, në terren, situata po bëhet gjithnjë e më e tendosur. Në sektorin e Mariupolit, qyteti i fundit i madh nën kontrollin e Kievit në lindjen separatiste, tre persona janë vrarë gjatë 24 orëve të kaluara. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të shtënat kundër pozicioneve ukrainase me raketahedhës “janë bërë të rregullta”.

Misioni vëzhgues i OSBE-së, i pranishëm në terren, po ashtu ka raportuar për një “ngritje domethënëse të rasteve të shkeljes së armëpushimit në lindje dhe në veri të Mariupolit”. “Ne nuk mund të rrezikojmë jetët e ushtarëve tanë, ata duhet ta kenë mundësinë që të kundërpërgjigjen”, ka theksuar Shtabi i Ushtrisë. Ndërsa, që nga java e shkuar, lideri i separatistëve të Republikës së vetëshpallur të Doneckut, Aleksandr Zaharchenko, kishte paralajmëruar për një “përshkallëzim të ri të luftimeve”.

Në planin diplomatik duhet përmendur vendimin e Bashkimit Evropian për të zgjatur deri në janar 2016 sanksionet ekonomike të dekretuara verën e kaluar kundër Rusisë për shkak të mbështetjes së saj të dyshuar për rebelët separatistë. Brukseli e ndërlidh vazhdimin e sanksioneve me zbatimin e Marrëveshjes së Minskut në terren.

Të martën, ndërkaq, është kundërpërgjigjur Qeveria ruse. Ajo po e shqyrton mundësinë që të zgjerojë në vende shtesë embargon e saj ndaj importit të produkteve ushqimore të vendosur si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore. Kjo embargo ka të bëjë me importin e mishit, peshkut, prodhimeve të qumështit dhe pemëve e perimeve. Tash për tash, embargo është e drejtuar kundër anëtarëve të Bashkimit Evropian si dhe Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Australisë.

Manovrat e NATO-s nuk rrisin gjasat për luftë në Evropë

Ndërkohë, NATO-ja ka mbrojtur të mërkurën idenë e stërvitjeve të përbashkëta që po zhvillon në Evropë, duke kundërshtuar analizën sipas së cilës këto manovra ”e bëjnë më të mundshme një luftë” si edhe duke kujtuar se bëhej fjalë ”për një përgjigje ndaj agresionit në rritje të Rusisë” pas aneksimit të Krimesë.

“Manovrat ushtarake të NATO-s nuk rrisin gjasat e një lufte në Evropë”, tha zëdhënësja Carmen Romero në përgjigje të një publikimi shqetësues mbi dinamikën e rrezikshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut. “Rusia po përgatitet për një konflikt me NATO-n dhe NATO-ja po përgatitet për një konfrontim të mundshëm me Rusinë”, shkruan “European Leadership Network” me seli në Londër, referuar kësaj analize.

Kjo organizatë i referohet dy manovrave të mëdha ushtarake të drejtuara nga njëra anë nga Rusia me mobilizimin e 80 mijë trupave prej disa ditësh në veri, në mars të këtij viti, ku nuk mund të mos aludohej për një luftë me NATO-n, sipas tyre, dhe nga ana tjetër NATO-ja në qershor me 15 mijë trupa në vendet baltike, në Poloni dhe Suedi.