Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 16:23

Tiranë -Punonjësit në të gjithë Bashkimin Europian janë bashkuar ditën e mërkurë në një seri protestash dhe grevash, kundër rritjes së papunësisë dhe masave shtrënguese.

40 grupime, nga 23 vende të ndryshme, janë përfshirë në këtë ditë proteste.

Grevat e përgjithshme në Spanjë dhe Portugali kanë paralizuar transportin, aktivitetin ekonomik dhe u shoqëruan me mbylljen e shkollave dhe universiteteve.

Në Madrid, përplasje të dhunshme ndodhën midis protestuesve dhe policisë.

Greqia, Italia dhe Belgjika gjithashtu po dëshmojnë manifestime popullore, të punëtorëve të irrituar nga masat e vazhdueshme shtrënguese, shkurtimet dhe rritja e papunësisë.

Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe disa vende të Europës Lindore janë bërë gjithashtu dëshmitare të manifestimeve sindikaliste.

Greva ka sjellë probleme të rëndësishme edhe me qarkullimin ajror, me disa qindra fluturime që janë ndërprerë gjatë ditës në Europë, për shkak të solidarizimit me grevën të punonjësve të disa aeroporteve të rëndësishëm.

Manifestimi i së mërkurës u organizua nga Konfederata Europiane e Tregëtisë. ”Masat shtrënguese janë një rrugë pa krye”, shkruhej në një deklaratë të publikuar nga KET-i, që kërkon politika më të fuqishme pro punësimit dhe stimulimit të rritjes ekonomike.(LajmeShqip.com)