Lajme Shqip Monday, 05 November 2012 10:55

Tiranë – Me titullin “Ekstremisti i djathtë shqiptar, që trondit Athinën”, gazeta më e madhe e së dielës në Greqi , “Proto Thema”, i kushton një faqe të plotë liderit të Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu.

Sipas gazetës, që e quan Spahiun si “Mihaloliako shqiptar’ – duke e krahasuar me liderin e partisë Agimi i Artë, – udhëheqësi 43-vjeçar që përdor populizmin, demagogjinë, sindromin antihelenik dhe lifestyle-n, duke parë gjithnjë në rritje përqindjet në preferencë të bashkëqytetarëve të tij, kërkon të tregojë fuqinë e tij edhe në kryeqytetin grek.

Artikulli i referohet ngjarjeve në Këlcyrë, duke nënvizuar se makina e ambasadorit grek, Nikolao Pazios, është qëlluar me vezë dhe gurë nga simpatizantë të Aleancës Kuqezi.

As reagimet e Ministrisë së Jashtme greke nuk e bëjnë Spahiun të heqë dorë, nga një miting në një prej hoteleve të Athinës, pavarësisht paralajmërimeve të policisë se nuk siguron dot normalitetin.

Te Spahiu, personazh i vitit për 2011-n në Shqipëri, të rinjtë dhe të rejat shqiptare shohin, sipas gazetës, personin që do të çojë në burg politikanët e korruptuar të vendit dhe do të bëjë realitet Shqipërinë e Madhe, ndërsa vend të veçantë zënë komentet për mitingjet shumëngjyrëshe të Aleancës, të dukshme për stilin e tyre amerikan, të mbështetura gjerësisht dhe nga mediat sociale.

“Proto Thema” e quan Spahiun si “Brutin” e Berishës, pasi ka qenë një nga të preferuarit e tij, që tashmë i ka dalë kundër.

Antihelenizmi i tij, nënvizohet në artikull, ka arritur deri atje, sa të përcaktojë kufijtë e Shqipërisë deri në Prevezë dhe Kostur, ndërsa përshkruhet edhe shëtitja e tij me flamurin kombëtar në ujërat detare, të cilat pretendon se janë shqiptare.

Artikulli mbyllet me një deklaratë të kreut të PBDNJ-së për gazetën, se Kreshnik Spahiu është një sharlatan i skenës politike shqiptare, një populist që hedh baltë mbi kundërshtarët e tij politikë, që ka bërë si flamur nacionalizmin kundër Greqisë dhe grekëve, duke mos pasur asnjë pozicionim për problemet serioze të shoqërisë shqiptare.(LajmeShqip.com)