Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 08:24

Zagreb – Protestat antiqeveritare mbrëmë në Zagreb, edhe pse ishin me një numër relativisht të vogël të pjesëmarrësve, rreth 200 deri në 300, megjithatë rezultuan me përleshje me policinë në të cilën ishin arrestuar dhjetë demonstrues.

Policia së pari arrestoi dy demonstrues, mes të cilëve edhe njërin nga koordinuesit e protestave, ndërsa më vonë arrestoi edhe dhjetëra prej tyre të cilët rreth një orë e bllokuan automjetin e policisë në të cilin gjendeshin dy të arrestuarit e parë.

Në fillimin e tubimit në Sheshin e Lules u mblodhën rreth 150 demonstrues me flamujt tani më të njohur kundër-BE-së dhe transparentë kundër kryeministres Jadranka Kosor.

Demonstruesit duke protestuar nëpër qendër arritën në hotelin “Panorama” ku mbahej festim me rastin e përvjetorit të Bashkimit Demokratik Kroat (BDK) qeveritare. Grupi brohoriste “BDK mafia”. “Kush bie? Qeveria!”, “Nuk duam borxhe, duam liri!” dhe parulla tjera të ndryshme.

Para protestave përfaqësuesit e disa sindikatave më të vogla lajmëruan për një konferencë të improvizuar për mediat në sheshin “Ban Jelaçiq” për të premten, ndërsa së bashku me përfaqësuesit e protestave të deritanishme u dakorduan se nuk do të ketë përleshje të interesave mes  sindikatave dhe protestave që organizohen përmes rrjetit social “Fejsbuk”. Ata theksuan se distancohen nga udhëheqësit e vetëshpallur Ivan Pernar dhe Dejan Golubiq, përndryshe i njohur si ekstrem i të djathtës.

“Nuk na duhen udhëheqës, këto janë protesta të gjithë qytetarëve dhe tani presim një kundërparullë më të madhe nga ata, ndërsa nga Qeveria kërkojmë referendum me të cilin qytetarët në të ardhmen do të munden të vendosin për shitjen e pronës shtetërore dhe kompanive, si dhe tërheqjen e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve”, deklaruan sindikalistët.