Lajme Shqip Friday, 19 October 2012 09:00

Athinë – Epiqendra e protestuesve ishte sheshi Syntagma nga ku nisën edhe përleshjet e ashpra me policinë. Manifestuesit hodhën gurë, bomba molotov dhe sende të tjera të forta ndaj forcave të sigurisë, ndërsa këto të fundit iu kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.

Dhjetra persona raportohen të lënduar nga përleshjet, disa për të cilëve me plagë të thella. Dhjetra të tjerë janë prangosur nga policia, ndërkohë që kryeqyteti zien nga flakët.

Në respektim të vendimit për një grevë të përgjithshme 24 orëshe, transporti ka mbyllur dyert, ndërsa dyqanet në kryeqytetin grek kanë ulur qepenat nga frika e trazirave që ishin paralajmëruar më parë.

Protestuesit kundërshtojnë zbatimin e masave të reja shtrënguese të qeverisë, e detyruar nga kërkesa e huadhënësve ndërkombëtarë për të bërë të mundur marrjen e këstit të radhës së ndihmës financiare në muajin nëntor.

Kjo është greva e dytë e përgjithshme e sindikatave brenda një muaji. Organizatat e punëtorëve kanë paralajmëruar të tjera greva në ditët në vazhdim dhe përshkallëzimin e tyre nëse qeveria kalon paketën e re të masave. (LajmeShqip.com)