Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 06:47

Shkup – Nikollas Martis, ish ministër i punëve të Jashtme i Greqisë, i ka dërguar letër presidentit Gjorge Ivanov, ku propozon zgjidhje të kontestit maqedono-grek që emri të jetë “Republika Pajonija”, ose “Republika sllovenska Pajonija”. Letra, siç bëhet e ditur nga disa media maqedonase, “asnjëherë nuk ka arritur deri te kabineti i Ivanovit”. Bile, mediat greke shkruajnë se ish ministri për Punë të Jashtme i Greqisë, tani në pension, ka 96 vjet dhe letrën e ka dërguar me qëllim që të ndihmojë në zgjidhjen e problemit me emrin dhe të krijohen raporte miqësore mes Shkupit e Athinës. “Me emrin e Shkupit, ‘Republika Pajonija’ do të kënaqen gjithë ata që dëshirojnë paqe në Ballkan. ‘Republika Pajonija’, do të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së dhe do jenë të lumtur popujt e dy shteteve”, qëndron në letrën drejtuar presidentit maqedonas, ku kabineti i tij mohon të ketë pranuar. Çështja e emrit edhe më tej mbetet pezull, ndërsa zhbllokimi i saj do të thotë drejtpërdrejtë hyrje në NATO dhe BE. Partitë shqiptare deri më tani kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet. Por mes dëshirave, ardhmërisë dhe bindjes për përkatësinë e tyre-qytetarët maqedonas në bazë të disa anketave, rëndë të tërhiqen nga ajo që është e tyre. Sipas tyre sa është e rëndësishme perspektiva evropiane, aq i rëndësishëm është edhe identiteti.