Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 17:38

Shkup – Propozimi i opozitës maqedonase që zgjedhjet të mbahen më 26 qershor, nuk është komentuar nga partitë më të mëdha në Maqedoni.

Por ai si duket po shqyrtohet në heshtje. Asnjëra nga katër partitë më të mëdha s’ka pranuar të prononcohet rreth asaj se a është e pranueshme kjo datë apo jo.

Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski publikoi propozim-plan për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të dielën më 26 qershor.

Nga VMRO-DPMNE-ja nuk dëshirojnë të thonë asgjë, pa u kthyer lideri i tyre nga Brukseli.

“Ne do të marrim qëndrim pasi të kthehen nga Brukseli kryetari i partisë Nikolla Gruevski dhe Antonio Milloshevski”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

Ndërsa, të përmbajtur ishin nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, tha se kryesia qendrore e partisë do të vendosë rreth datës së mundshme.

“Ky është një propozim i ri i LSDM-së, por kryesia qendrore e BDI-së do të ulet dhe do të diskutojë rreth këtij propozimi. Me kohë do të informohet opinioni. Por, ne si BDI deri më tani s’kemi datë se kur mund të mbahen ato. Kjo do të definohet pasi të mblidhet kryesia e partisë”, deklaroi Haliti.

Kurse nga Demokracia e Re (DR) kërkojnë me çdo kusht zgjedhje, por pa precizuar datën kur duhet të mbahen ato.

“Ne kemi thënë se jemi për zgjedhje dhe vetëm zgjedhjet do ta kthejnë mandatin tek sovrani, tek qytetarët. Vetëm zgjedhjet janë shpëtim nga kjo situatë, e cila paraqet krizë politike dhe parlamentare në vend. Zgjedhjet janë ato që do të sjellin një garniturë të re qeveritare, e cila do të mundësojë ecjen e Maqedonisë përpara drejt institucioneve euro-atlantike”, deklaroi deputetja e DR-së, Flora Kadriu.

Ndërkohë, Luan Tresi nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), pohon se sa më shpejtë që të mbahen zgjedhjet, aq më mirë do të jetë për shqiptarët.

“Për PDSH-në sa më shpejtë që të ndodhin këto zgjedhje aq më mirë. Por, kjo është edhe në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Ne do ta përkrahim shpërbërjen e Parlamentit, sepse ky institucion një kohë të gjatë ka dëshmuar se është jo funksional”, theksoi zëdhënësi i PDSH-së, Tresi.

Nga Partia Liberal-Demokrate (PLD), kërkojnë nga partitë më të mëdha që të ndërpriten taktizimet me data, por kërkojnë që zgjedhje të mbahen sa më shpejt.

“Edhe opinioni vendor edhe ai ndërkombëtar kërkon marrëveshje e jo taktizim me data. Por, diçka që do të na shpëtojë nga kjo krizë politike janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Andrej Zhernovski nga PLD.

Ditë më parë kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski deklaroi se partia e tij kërkon që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 26 qershor. (Lajmeshqip.com)