Prokurorët gjermanë kanë kërkuar burgim të përjetshëm për shqiptarin nga Kosova, Arid Uka, i cili akuzohet për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.
Prokurori federal i tha gjykatës në qytetin e Frankfurtit, se 21-vjeçari Uka mund të ballafaqohet me dënimin maksimal për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë, më 2 mars të vitit 2011.
Arid Uka hapi zjarr në grupin e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në aeroportin e Frankfurtit, ndërsa ishin duke udhëtuar për në Afganistan.
Ndërkohë, vrasjet janë konsideruar si të motivuara nga ekstremizmi islamik në Gjermani. Por, prokurorët besojnë se Arid Uka, që është i lindur në Mitrovicë në Kosovë, por është rritur në Gjermani, ka vepruar i vetëm dhe nuk i ka takuar ndonjë grupi terrorist.
Ndërkohë vendimi për 21-vjeçarin pritet të jepet më 19 janar.