Lajme Shqip Friday, 11 November 2011 11:46

Papadhimos ka lindur në Athinë, ka studiuar dhe është promovuar në SHBA në universitetin e mirënjohur “Massachusetts Institute of Technology (MIT)” në Boston.

Më pas ka dhënë mësim si profesor i ekonomisë në universitetin Columbia, në Nju Jork. Në mes të viteve 1980 u kthye në Greqi, ku bëri karrierë në Bankën Qendrore greke dhe në vitin 1994 mori postin e guvernatorit të kësaj banke.

Bashkë me qeverinë socialiste greke, Papadhimos pregatiti pranimin e Greqisë në Unionin Monetar Evropian në vitin 2001 dhe futjen e euros si mjet pagese në Greqi në 2002.

Për këtë ai fitoi respekt të thellë në Greqi. Më vonë u bë e ditur se Greqia i kishte përcjellë Brukselit për vite me radhë statistika të rreme. Por m.q.s. Papadhimos ishte profilizuar si një mbrojtës i flaktë i kufizimit të borxheve shtetërore, fama e tij ndërkombëtare nuk u cënua aspak.

Papadhimos në vitin 2002 e dorëzoi postin si shef i Bankës Qendrore greke dhe mori detyrën e zëvendëspresidentit të ECB-së në Frankfurt. Përvoja e tij si përfaqësues i një vendi të varfër të Eurozonës duhej të ndihmonte në përgatitjen e anëtarëve të rinj evropianolindorë në BE për futjen e euros.

Pas tetë vitesh në detyrë Papadhimos u shkëput në vitin 2010 edhe nga ECB. Përballë gjendjes së vështirë të Greqisë, ai i ruajti kontaktet e tij politike, të cilat tani e sollën sërish në skenë.