Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 08:00

Vetëm dy vjet mbasi kreu dënimin prej dy vitesh për tentimvrasjen e katër policëve gjatë një përplasjeje me armë në Beograd, Milan Lazareviqi vendosi se ishte koha të përfitonte nga programi serb i privatizimit.

Duke mos parë arsye se pse e kaluara e tij kriminale duhej ta pengonte, Lazareviqi i hodhi sytë të blinte një fabrikë pjesësh makinash të sapoprivatizuar, Mashinoservis, në qytetin e tij të Valjevës.

Doli që kishte të drejtë, e kaluara e tij kriminale nuk do të ishte problem për shitjen. Agjencia e Privatizimit e Serbisë e vulosi marrëveshjen në nëntor 2005.

Në dallim të theksuar me vendet e tjera ish-komuniste europiane, si për shembull Polonia, Serbia ishte e ngadaltë në futjen e kontrolleve të të kaluarës së blerësve për t’i penguar kriminelët që të përfitonin nga shitja e kompanive shtetërore.

Kjo mungesë kontrolli shtetëror krijoi një mjedis të përkryer për veprimtari të gjerë kriminale, përfshi zhvatjen e paligjshme të aseteve dhe pastrimin e parave.

Shkalla e korrupsionit dhe keqmenaxhiit ishte e tillë sa Serbia, deri më sot, ka anulluar 629 nga gjithsejt 2.281 marrëveshje privatizimi sepse pronarët e rinj ndalën prodhimin, zhvatën asetet dhe nuk i paguan punonjësit.

Për këtë arsye, me mijëra punëtorë serbë kanë humbë vendin e punës si pasojë e drejtpërdrejtë e privatizimit të keqmenaxhuar.

Ndërkohë që investitorëve të ardhshëm tashti u kërkohet të marrin certifikata që nuk kanë të kaluar kriminale dhe nuk janë nën hetim, ende ka vrima në sistem që ua lejojnë kriminelëve të përfitojnë nga shitjet.

Lazareviqi, që mori miratim shtetëror për të blerë Mashinoservisin, tani është kthyer në burg i hetuar për drejtimin e një sipërmarrjeje raketimi që nxirrte pagesa dhe favore nga pronarët e bareve dhe restoranteve të Veljevës.

Ai akuzohet edhe për urdhërimin e vrasjes së një rivali të nëntokës dhe prej atëherë është paditur për evazion fiskal, mashtrim me sigurimet dhe shpërdorimin e fondeve të qeverisë.

 

“Vetëm budallenjtë flasin”

Njëzetepesë vjet më parë Mashinoservisi ishte një ndërmarrje e suksesshme shtetërore me 130 punëtorë nga Valjeva, që është 100 km larg nga kryeqyteti Beograd. Fabrika dikur kishte zyra anembanë ish-Jugosllavisë.

Sot ndërtesa është e mbyllur me zinxhirë të rëndë, por mund t’i hedhësh sytë në oborr. Fabrika është e amortizuar dhe e braktisur, dritaret e thyera dhe muret gati po i rrëzohen.

Me letra, Mashinoservisi vazhdon të punësojë 12 veta, ku të gjithë ata thonë se nuk kanë paguar apo s’janë paguar prej nëntë vitesh. Banorët e fshatrave përreth që dikur vareshin nga fabrika për të punuar, tani janë detyruar ta nxjerrin jetesën me gjithfarëlloj punësh.

Milivoj Saviqi, 60 vjeç, ishte i vetmi punëtor që mori guximin të flasë. E shoqja kundërshtoi gjatë gjithë intervistës që u zhvillua në shtëpinë e tyre afër qendrës së Valjevës, duke thënë me zemërim: “Vetëm budallenjtë flasin.”

Thjesht përmendja e emrit Lazareviq shkakton frikë në zemrat e njerëzve këtu.

I pafrikësuar, Saviqi, që e thërrasin Bosanac, ngulmon që të flasë me një gazetar është pak a shumë mundësia e tij e fundit. Pjesërisht i paralizuar pasi ka pësuar një atak, ai nuk mundet as të punojë e as të pensionohet ngaqë Mashinoservisi nuk i ka paguar as rrogën e as sigurimet pas privatizimit.

Ai thotë se nga momenti që Lazareviqi arriti në fabrikë, ishte e qartë që pronari i ri nuk e kishte ndërmend të investonte dhe ta çonte para kompaninë. Në vend të kësaj, bosi mblodhi punëtorët dhe u tha të shkonin në shtëpi.

“Lazareviqi tha: “I kam gjithë numrat tuaj të telefonit këtu në kompani dhe kur të gjej punë do t’ju thërras.” Gjithsesi, ai i shiti krejt makineritë dhe nuk ka mbetë asgjë atje [te fabrika],” thotë Saviqi.

I dëshpëruar, Saviqi ia doli më në fund të takonte Lazareviqin dhe iu lut që të paktën t’ia paguante sigurimet që të mund të dilte në pension.

“Si ke qejf me t’u lutë, si babait, si Zotit, si shefit? Ai më tha: “Bosanac, ke moshën e tim eti, të respektoj për këtë dhe mos ki dert”… por nuk pagoi kurrë,” thotë Saviqi.

Ai ishte i vetmi punëtor që mori guximin të kërkonte një takim ballë për ballë me të.

Marrveshja

Lazareviqi e bleu kompaninë në shtator 2004 duke i paguar pronarit të atëhershëm Vladan Kruniq 13.000 euro me para në dorë. Iu dha autorizim i plotë që i jepte kontrollin e plotë mbi kompaninë derisa shitja të mund të miratohej zyrtarisht nga Agjencia e Privatizimit e Serbisë.

Ndërkohë që kompania e sapoprivatizuar mbetej nën mbikqyrjen e shtetit, vetëm agjencia mund të miratonte formalisht shitjen, që e bëri më 15 nëntor 2005.

Mashinoservisi u privatizua në fillim në dhjetor 2002 ku Kruniqi pagoi rreth 40.000 euro për kompaninë. Ai thotë se s’mundi ta kthente atë në një sipërmarrje fitimprurëse dhe nuk ishte në gjendje t’i paguante punëtorët, të cilët në kohën e rishitjes tek Lazareviqi ishin në grevë të përgjithshme.

Gjatë kohës së Kruniqit si pronar, inspektorët e Agjencisë së Privatizimit realizuan dy raporte kritike lidhur me menaxhimin e kompanisë nga ana e tij, një në tetor 2003 dhe një tjetër në qershor 2004.

Të dy raportet thonë që punëtorët e Mashinoservisit nuk ishin paguar qysh prej privatizimit dhe që prodhimi ishte ndalë, duke paralajmëruar se kompania mund të duhej të merrej prap nën kontroll shtetëror.

Për çudi, veç pesë muaj më vonë, inspektorët iu rikthyen fabrikës që kishte qenë në pronësi të Lazareviqit vetëm prej pak javësh dhe zbuluan se punëtorët nuk ankoheshin për asnjë gjë, megjithëse nuk ishin paguar.

Zhvatja e aseteve

Sipas pronarit të mëparshëm Kruniq dhe punëtorëve, Lazareviqi menjëherë ia nisi të zhvaste asetet e Mashinoservisit.

Kruniqi mëton se Lazareviqi e shiti makinerinë kryesore për 10.000 euro pak muaj pasi kishte marrë kontrollin e fabrikës.

Lazareviq gjithashtu me gjasë e shiti një nga ndërtesat e fabrikës për 41.000 euro pare në dorë, sipas akuzave të ngritura nga zyra e taksave e Serbisë. Ata mëtojnë se ai e shiti strukturën pa e deklaruar shitjen, duke shmangur kështu pagesën e taksës.

BIRN-i ka marrë regjistrime që tregojnë se Lazareviqi mori kredi duke lënë peng truallin e fabrikës, megjithëse deri tani ka qenë e pamundur të përcaktohet saktësisht se kur me mori kredinë apo cila ishte shuma që mori kundrejt truallit.

Lazareviqi nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi asnjë nga akuzat apo pronësinë e tij mbi Mashinoservisin, por avokati i tij Miodrag Xhuriçiq i tha BIRN-it se “nuk ka prova kundër tij”.

Lidhur me menaxhimin nga Lazareviqi të Mashinoservisit, Xhuriçiqi tha se problemet e administrimit dhe prodhimit i paraprinin marrjes së pronësisë së firmës nga klienti i tij.

Edhe pse ekstreme, shitja e Lazareviqit nuk është unike në Serbi. Ishte veç një nga mijërat e ndërmarrjeve shitë nga shteti, shumica nga të cilat do t’i jenë nënshtruar zhvatjes së paligjshme të aseteve dhe veprimtarive të tjera kriminale.

Të mos përmenden shumë serbët që humbën burimin e nxjerrjes së jetesës në një vend u papunësia ishte 20 përqind më 2010. Numri i të papunëve pritet të vazhdojë të rritet në Serbi ndërkohë që recesioni vazhdon të thellohet.

Serbia ende nuk e ka përmbyllë procesin e privatizimit dhe ka edhe 435 kompani për t’i shitë, sipas regjistrimeve të Agjencisë së Privatizimit.

Certifikata false të të kaluarës së blerësve

Me gjithë masat më të ashpra për të parandaluar kriminalët nga përdorimi i procesit të privatizimit për pastrim parash apo qëllime të tjera, sistemi mbetet i hapur ndaj abuzimit.

Megjithëse blerësve u kërkohet prej vitit 2008 të paraqesin certefikata nga policia apo gjykatat që deklarojnë se nuk kanë të kaluar dënimesh, kriminelët ende mund ta anashkalojnë sistemin.

Disa ofertues përdorin blerës anësorë që nuk kanë të kaluar kriminale, shumica japin oferta nga kompani përtejdetit dhe disa të tjerë bile i falsifikojnë certefikatat.

“Nëse dikush vjen me një certefikatë të falsifikuar, si mund ta di se është e rreme? Këto janë veprime kriminale, duhet t’i hetojë dikush tjetër,” thotë Dushan Belanoviq, drejtor i qendrës së komunikimit të Agjencisë së Privatizimit.

I pyetur se pse nuk i dërgojnë certefikatat në polici për kontroll, Belanoviqi thotë se agjencia nuk ka staf të mjaftueshëm për të zhvilluar këto lloj kontrollesh.

Përveç kësaj, Serbia nuk është në gjendje të verifikojë origjinën e parave përdorë për të blerë biznese përmes kompanive të përtejdetit.

Darko Sariq, aktualisht në arrati, u padit më 2010 nga autoritetet serbe me dyshimin se drejtonte një rreth ndërkombëtar droge, që mendohet se ka kontrabanduar rreth 3.5 ton kokainë në Europë dhe ka pastruar rreth 30 milion euro përmes procesit të privatizimit në Serbi.

Dokumentet marrë përmes shërbimit të prokurorisë shtetërore dhe regjistruesve të biznesit në Shtetet e Bashkuara dhe Serbi, tregojnë se Sariqi i blinte firmat serbe përmes kompanive të përtejdetit regjistruar në shtetin amerikan të Delaverit.

Ngaqë Agjencia e Privatizimit nuk u përpoq të përcaktonte origjinën e fondeve të përtejdetit të kompanisë, autoritetet mëtojnë se Sariqi mund të ketë pastruar lirisht miliona euro fituar me mjete të paligjshme.

Rëndësia e kontrolleve të forta mbi të kaluarën e blerësve është treguar herë pas here në Serbi. Ky dështim ia mundësoi Zoran Çopiqit të blinte më se 15 kompani në Serbi dhe Bosnjë prej vitit 2005, megjithëse ishte gjykuar për kontrabandim cigaresh në kohën e blerjeve.

Gjyqi u hap më 2004 dhe pritet ende të përfundojë. Ai u arrestua në Bosnjë në prill dhe u padit për pastrim parash dhe pritet të dalë në gjyq së shpejti.

Çopiqi u padit gjithashtu nga policia serbe në fund të vitit 2010 për kredi të paligjshme dhe zhvatje asetesh nga disa kompani.

Ligji “i tejpërshkuar nga dobësitë”

Në zemër të problemit shtrihen ligjet e bëra keq dhe të zbatuara me mangësi në lidhje me privatizimin.

“Privatizimi është i tejpërshkuar nga rregullore të paplota, dobësi, hendeqe dhe hapësira,” thotë Vladimir Goati, ekspert politik dhe ekonomik që është gjithashtu drejtor i Transparency Serbia.

“Dhjetëra kompani u shitën… pa kushtet e përcaktuara që pronari ishte i detyruar të vepronte me përgjegjshmëri kundrejt kompanisë dhe punonjësve të saj.”

Verica Baraq, presidente e këshillit të korrupsionit të Serbisë, pajtohet me këtë: “Kjo ia mundësoi manjatëve dhe kriminelëve që, duke blerë kompani, zyrtarisht të krijonin prona të stërmëdha.”

Por Baraqi thotë se problemi më i madh me sistemin aktual është që ende nuk ka kontroll të vërtetë të jashtëm mbi procesin e privatizimit.

“Agjencia e Privatizimit është trup qeveritar pa ndonjë llogaridhënie. Ata krijojnë, zbatojnë dhe kontrollojnë procesin e privatizimit, por në vetvete ata nuk kontrollohen nga askush,” thotë ajo.

Branko Pavloviq, ish-drejtor i Agjencisë së Privatizimit, thotë se ligji është me të meta edhe sepse ia lejon blerësve të paguajnë për kompanitë deri në gjashtë kiste, duke i dhënë pronarit të ri kohë për t’i shitë asetet para se ta përfundojë blerjen.

“Pasi marrin paratë [nga zhvatja e aseteve] nuk u bjen ndër mend të paguajnë pjesën e mbetur të çmimit të blerjes,” thotë ai. Shteti mandej detyrohet ta marrë mbrapsht një firmë njëmendësisht të pavlerë.

Baraqi dhe Pavloviqi thonë se ligjet efektivisht u miratuan nga Banka Botërore dhe të dy mëtojnë se banka ushtroi trysni mbi Serbinë që ta zhvillonte procesin e privatizimit me shpejtësi.

“[Ligji] është koncepti i Bankës Botërore, bazuar në ekonomitë liberale. Ishte e rëndësishme thjesht të privatizohej, që do të thoshte se institucionet nuk ishin të rëndësishme, se prona nuk ishte e rëndësishme, që proceset nuk ishin të rëndësishme, origjina e parave nuk ishte e rëndësishme,” thotë Baraq.

Njeriu që përpiloi legjislacionin e privatizimit më 2001, Aleksandër Vlahoviq, nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për intervistë që u bënë përmes asistentit të vet në kompaninë e tij private të konsultimit Eki Investment.

Shefi i privatizimit “u pushua nga puna”

Pavloviqi ishte drejtor i Agjencisë së Privatizimit vetëm për katër muaj, mes prillit dhe qershorit 2004.

Në fillim i caktuar nga Dragan Marshiçanin, ministri i atëhershëm për ekonominë, ai mëton se u pushua nga puna sepse u përpoq të reformonte drejtimin e agjencisë së privatiyimit dhe të përballej me krimin në privatizim.

Pavloviqi thotë se nga momenti që u caktua drejtor i agjencisë, menjëherë filloi presioni nga të gjitha anët, “politikanëë, organizata ndërkombëtare dhe manjatë të brendshëm”.

Sipas Pavloviqit, biznesmenë të dyshimtë do të përpiqeshin t’i afroheshin përmes palëve të treta.

“Manjatët e bëjnë këtë, gjejnë dikë të cilin e njeh dhe mandej ai person të thotë “hej Branko, ky biznesmeni sapo më kërkoi, a do vish të hash darkë me ne”, dhe unë i thoja jo darkë por mund të vijë në agjenci dhe mund të lëmë takim,” thotë Pavloviq.

Por Pavloviqi mëton se sapo u përpoq të anullonte një marrveshje të dyshimtë privatizimi ku ishte i sigurtë se kishte korrupsion, ai u pushua menjëherë nga puna bashkë me ministrin që e kishte caktuar në atë post.

Sot ai punon si avokat dhe këshilltar për aksionerët pakicë të kompanive në procesin privatizimi e sipër.

Gjendja nuk është shum më e ndryshme në shtetet e tjera të Ballkanit, ku privatizimi ka krijuar një rast të përkryer për marrveshje të dyshimta, siç dëshmohet në Bosnnjë, Maqedoni dhe Mal të Zi.

Në Mal të Zi, është pothuajse e pamundur ta perceptosh nivelin e korrupsionit sepse hollësitë e shitjeve janë të mbështjella në sekret, ngaqë shteti nuk i ka bërë publike regjistrimet.

Podgorica e filloi procesin e privatizimit më 1997 dhe rreth 85 përqind e kompanive tani janë private. OJQ-të kanë mëtuar se shumica e këtyre marrveshjeve kanë përfshirë korrupsion serioz në nivele të larta.

Shitje të ngadalta por të sigurta në Poloni

S’mund të kishte qenë më ndryshe në Poloni, ku shteti nuk u ngut për privatizimin. Varshava tashti ka zhvilluar një sistem të fokusuar në zhdukjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar mbi dy dekada mbasi kaloi nga komunizmi në kapitalizëm.

Njëzet vjet pas fillimit të programit të privatizimit, pesë përqind e kompanive polake kanë mbetë pa u shitë, thotë Ireneusz Jablonski, ekspert ekonomik dhe antar i Institutit Adam Smith në Varshavë.

Krzysztof Valenczak, nëndrejtori i Thesarit të Polonisë që mbikqyr procesin e privatizimit, e pranon se përparimi ka qenë i ngadaltë por nënvizon përpjekjet e mëdha që janë bërë për të gjetë investitorë bindës.

“Kur shesim një kompani, shkojmë në 15 vende të ndryshme. Shkojmë tek çdo qendër financiare… kemi shërbimet tona të brendshme që gjurmojnë investitorët e mundshëm. Nëse kemi ndonjë dyshim se a a është investitor i ligjshëm, e diskualifikojmë,” thotë ai.

Valenczak thotë se kompanitë e përtejdetit janë përjashtuar nga procesi i privatizimit për një farë kohe në Poloni sepse nuk mund të gjurmohet origjina e fondeve.

Ndryshe nga Serbia dhe shum vende të Ballkanit, puna e ministrisë i nënshtrohet vazhdimisht kontrolleve nga agjenci të ndryshme, përfshi Byronë e fuqishme Qendrore të Anti-Korrupsionit (CBA).

CBA-ja merret me korrupsionin e nivelit të lartë dhe i raporton drejtpërdrejt kryeministrit.

“Jemi një agjenci unike në Bashkimin Europian sepse vetëm byroja jonë ka pushtete të tilla,” thotë Pavel Vojtunik, drejtor i CBA-së. “Ne mund të punojmë si policia… dhe të përdorim gjithë “masat speciale” si shërbimi sekret. Mund të kontrollojmë zyrtarët më të lartë në Poloni.”

CBA-ja heton edhe shitjet me çmim të ulët që duken të dyshimta, duke bërë të mundur që shteti të marrin interesin më të mirë dhe të zhduket korrupsioni. Kompanitë e përtejdetit e shmangin Poloninë ngaqë nuk duan të tërheqin vemendjen e CBA-së.

“Kemi pasë një rast të tillë që përfshinte privatizimin e limaneve,” thotë Vojtunik. “Një firmë nga një vend “i rrezikshëm” ishte e interesuar në shitjen derisa media botoi informacionet që CBA-ja po e kqyrte rastin. Firma e tërhoqi ofertën.”

Bashkimi Europian kërkon hetimin e Serbisë

Ndërkohë që duket e qartë që polakët e shohin privatizimin e papërlyer si thelbësor për shtetin dhe ekonominë, duket se për Beogradin nxitja për të rishikuar procesin e vet të privatizimit shkaktohet nga antarësia e pritshme në Bashkimin Europian.

Në qershor të vitit të kaluar, Bashkimi Europian i kërkoi Serbisë të rishikonte 20 marrveshje ku dyshohej ose se përfshihej korrupsion i nivelit të lartë ose mosplotësim i rregullave të privatizimit.

Për t’ia lehtësuar punën, gjithsesi, qeveria serbe mori në korrik edhe një grant  prej 2.2 milion eurosh për ta ndihmuar shtetin të luftonte më me dobi pastrimin e parave.

Vincent Deger, ambasadori i Bashkimit Europian në Serbi, vëren se vendet në tranzicion drejt ekonomive kapitaliste kanë rrezik më të madh për pastrimin e parave për shkak të procesit të privatizimit, por paralajmëroi se gjendja paraqiste shqetësim të veçantë veçanërisht në Ballkan.

“Tre deri në pesë përqind të prodhimit të përgjithshëm të brendshëm vjen prej veprimtarive të pastrimit të parave [në Serbi]. Është rrezik i madh… kërcënon funksionimin normal të ekonomisë dhe ndikon krejt shoqërinë,” thotë ai.

Me gjithë ngritjen e shum zhurmës për vullnetin e Serbisë për t’u përballë me kriminalizimin e procesit të saj të privatizimit, jo të gjithë janë të bindur.

Baraqi, shefja e këshillit anti-korrupsion, nuk është fort e bindur dhe dyshon që edhe presioni nga Bashkimi Europian do të bëjë ndonjë diferencë.

“Këshilli ka treguar një numër rastesh privatizimi dhe ka dërguar dokumentacion në prokurori, por deri tashti nuk ka pasë ndonjë hetim,” thotë ajo.

Ndërkohë që Lazareviqi është në burg i përballur me akuza të shumta për sjellje të vazhueshme kriminale, ai mbetet pronari zyrtar i fabrikës tashti të shkatërruar të pjesëve të makinave.

Ndërkohë që njeriu të cilit shteti i dha pronësinë fitoi tepër duke shitur asetet dhe duke dhënë me kredi truallin, shum punëtorë kanë përfunduar me vështirësi në nxjerrjen e jetesës ditë për ditë.

Serbët pyesin veten se kur drejtuesit e tyre do të bëjnë të mundur që kompanitë, bashkë më jetesën e tyre, të mos lëshohen në duart e kriminelëve të pashpirt që thjesht duan të fitojnë pa u munduar.

 Nga Stefan Dojçinoviç

Stevan Dojçinoviq është gazetar nga Beogradi. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore, nisëm e Robert Bosch Stiftung dhe ERSTE Foundation, në bashkëpunim me Rrjetin e Raportimit Investigativ Ballkanik.