Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 22:18

Kajro – Derisa Egjipti po kalon ditë të përgjakshme, një lajm vie nga presidenti egjiptian i rrëzuar në revolucionin e vitit 2011, Hosni Mubarak.

Avokati i tij mbrojtës, Fareed el Deeb, ka thënë se klienti i tij pritet të lirohet brenda pak ditësh, pasiqë gjykata në Kajro ka hequr një akuzë të mbetur kundër tij për korrupsion, shkruan The Guardian.

Mubarak dhe dy djemtë e tij ishin akuzuar për shpërdorimin e fondeve në
pallatet presidenciale.

“Ka mbetue edhe një procedurë e thjeshtë administrative që mund të marrë jo më shumë se 48 orë. Ai duhet të lirohet nga fundi i javës”, ka thënë avokati mbrojtës i Mubarak.

Mubarak, i cili është 85 vjeç dhe në shëndet të dobët, ende përballet me rigjykim mbi akuzat e bashkëfajësisë në vrasjen e protestuesve, gjatë asaj që ishte
revolta më e madhe e pranverës arabe.

Ky lajm vjen në ditën kur 26 policë u qëlluan për vdekje në gadishullin Sinai. Ndërkohë raportohet se lirimi i Mubarakut, mund të përkeqësojë edhe më shumë gjendjen në Egjipt. Pas polairizimit të kampeve që prej largimit të presidentit Mohamed Morsi, në Egjipt janë shënuar të paktën 900 viktima.