Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 18:43

Prilep – Rreth 50 nxënës maqedonas të shkollës fillore “Gjorçe Petrov”, në fshatin Ropotov të Prilepit bojkotojnë procesin edukativo-arsimorë për shkak të punësimit të një arsimtare shqiptare që duhej të ligjërojë gjuhën maqedonishte dhe një pastruesi shqiptar. Sipas prindërve të nxënësve maqedonas, kryetari i komunës së “Dollnenit”, ka larguar arsimtaren e gjuhës maqedonase dhe ka punësuar kuadër që nuk e zotëron mirë gjuhën e njëjtë.

Prindërit e fëmijëve maqedonas kanë paralajmëruar se nuk do të ndërpresin bojkotin e procesit edukativo arsimor deri në gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi, gjegjësisht kthimit të arsimtares së mëparshme maqedonase që është maqedonase. Ata janë shprehur, madje me një tonë tepër kritik duke shprehur vrull ndaj të gjithë atyre që nuk janë maqedonas. “Këtu bëhet fjalë për sulm ndaj identitetit maqedonas, ne jemi maqedonas, krishterë, ndërsa fëmijët tonë do t’i mësojnë arsimtar maqedonas”, kanë thënë prindërit e nxënësve maqedonas.

Ndryshe, nga ata mendojnë në Komunën e Dollnenit, të cilët thonë se disa koka “nacionaliste” dëshirojnë të mbjellin dhe nxisin tensione ndërfetare dhe ndëretnike në Komunën e tyre. “Kërkesat e tyre janë joracionale, nacionaliste dhe të pabaza”, kanë thënë nga Komuna e Dollnenit. Nga kjo komunë bëjnë të ditur se kërkesat “nacionaliste” të një pale reflektojnë kërkesa te pala tjetër. Kështu që është ngritur iniciativë edhe nga prindërit e nxënësve shqiptar të Komunës së Dollnenit për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe.

“Ne nuk heqim dorë nga vendimet tona. Në gjitha shkollat e komunës sonë të punësuarit janë nga nacionalitete të ndryshme”, shprehën drejtuesit e kësaj komune. Ndryshe, në Komunën e Dollnenit, sipas statistikave 65 për qind e popullatës i takon etnive jo maqedonase, ndërsa 35 për qind janë maqedonas. (LajmeShqip.com)