Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 18:46

Tiranë – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, me ftesë të Presidentit shqiptar, Bamir Topi, nis të enjten një vizitë zyrtare dy-ditore në Tiranë.

Axhenda e Presidentit maqedonas nis me takimin me homologun Topi, për t’u pasuar nga nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet dy qeverive në kuadër të procesit të aderimit në BE dhe më tej do të vijojë me konferencën e përbashkët për shtyp.

Vizita e Presidentit Ivanov do të vijojë me takimin me kryeministrin Sali Berisha, ndërsa në orët e mesditës kreu i shtetit maqedonas do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse Kuvendit të Shqipërisë.

Gjatë vizitës në Tiranë, Presidenti Ivanov do të takohet dhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Vizita e Presidentit të Maqedonisë, Ivanov në Tiranë do të mbyllet me një takim me minoritetin maqedonas që jeton në Shqipëri.