Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 17:30

Berlin – Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff dha dorëheqjen, duke pranuar se ka bërë gabime, por se gjithnjë ka vepruar në kuadër të kornizave ligjore.

“Unë kam bërë gabime”, ka thënë ai në një transmetim direkt nga zyra e tij në Berlin, “por, gjithmonë kam bërë veprime korrekte”.

Ai tha se akuzat për korrupsion që janë shtuar në javët e fundit, janë pasojë e mungesës së besimit dhe ia kanë bërë pozitën të paqëndrueshme.

Më herët, kancelarja gjermane Angela Merkel anuloi vizitën e planifikuar në Romë, për shkak të paralajmërimeve për dorëheqjen e presidentit.

Një ditë më parë, prokurorët publikë kanë kërkuar që presidentit Wulff t’i hiqej imuniteti, për shkak se ka pranuar të mira nga miqtë e tij të pasur në kohën sa ishte kryeministër i Saksonisë së Ulët.