Lajme Shqip Sunday, 18 November 2012 20:14

Preshevë – Përfaqësues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, kryetari i LSI në Tiranë dhe sekretari ndërkombëtar i LSI, Ralf Gjoni, morën pjesë në Kuvendin e pestë zgjedhor të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Preshevë.

Shezai Rrokaj uroi Kongresin dhe delegatët e PDSH duke përcjelle përshëndetjet më të ngrohta dhe vllazërore të LSI dhe kryetarit te saj Ilir Meta, jo vetëm për anëtarët e PDSH por edhe për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, transmeton BW.

Rrokaj u shpreh se LSI dhe e gjithë Shqipëria mbështet plotësisht kërkesat dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Serbisë, duke garantuar se që pas vizitës së z. Meta në Preshevë në vitin 2010, Tirana zyrtare ka qenë dhe do vazhdojë të jetë gjithnjë e më pranë vëllezërve shqiptarë të Luginës së Preshevës.

“Në këtë Nëntor 100 Vjetori, ne kujtojmë se historia nuk i ka përkëdhelur shqiptarët, një komb i ndarë në 5 shtete. Por, sot kuptojmë se shqiptarët ia kane dalë, dhe sot ia dalin më mirë se kurrë, sepse kanë ditur të punojnë e të ndërmarrin veprime që i afrojnë ata me Bashkimin Evropian, dhe ky duhet të jetë prioriteti i të gjithëve, agjenda jonë e përbashkët evropiane”.

Rrokaj tha se Shqiperia do ta mbështesë popullin e Luginës së Preshevës, duke lobuar fuqishëm pranë qeverisë së Serbisë, përmes projekteve të drejtpërdrejta nga Tirana në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe investimeve, si dhe përmes punës pranë organizmave ndërkombëtarë ku Shqipëria përfaqësohet zyrtarisht me të drejta të plota.

Në përfundim, Rrokaj përmes një gjesti simbolik, i dhuroi një kopje të Abetares mbarëkombëtare, në cilësinë e bashkautorit, kryetarit të Komunes së Preshevës dhe Kreut të PDSH,  Ragmi Mustafa.(LajmeShqip.com)