Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 13:00

Londër – Predikuesi radikal islamik Abu Katada, i cili konsiderohej si dorë e djathtë e Bin Ladenit në Evropë, mbrëmë është liruar nga burgu britanik Long Lartin, në Anglinë perëndimore, kanë kumtuar agjencitë botërore.

Lideri i dikurshëm shpirtëror i Al Kaedës në Evropë, do të dërgohet në Londër ku do të vendoset në arrest shtëpiak. Ai duhet të mbajë dorezë elektronike, nuk ka të drejtë të hyjë në xhami dhe nuk do të ketë qasje në Internet dhe komunikime të tjera elektronike.

Jordanezi me origjinë palestineze, i cili gjashtë vitet e fundit i kaloi në një burg britanik, gjithashtu, i është ndaluar të takohet me tridhjetë persona specifik, në mesin e të cilëve edhe me shefin e ri të Al Kaedës, Ajman az Zavahiri.

Autoritetet britanike shprehin bindje se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që ta sigurojnë ekstradimin e Abu Katadas në Jordan, ku ai kërkohet për terrorizëm.

Lirimi i prijësit radikal ndodhi pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e pranoi ankesën e tij kundër ekstradimit në Jordani me argumentin se nuk do t’i sigurohet gjykim i drejtë.

Pas këtij vendimi, Gjykata Britanike e Apelit urdhëroi që ai të lirohet me kusht.

Qeveria dhe personalisht kryeministri britanik, David Cameron, janë duke investuar për ta deportuar Katadën nga Mbretëria e Bashkuar. Për këtë qëllim ata po negociojnë me Jordanin që të fitojnë garanci se keqtrajtimet nuk do të shfrytëzohen kundër tij.

Abu Katada në Britaninë e Madhe erdhi në vitin 1993 me pasaportë të falsifikuar. Ai është arrestuar në vitin 2002, më pas është liruar dhe arrestuar edhe disa herë të tjera, por asnjëherë nuk i janë ngritur akuza dhe nuk është gjykuar në Britaninë e Madhe edhe pse autoritetet thonë se kanë dëshmi se i kanë mbështetur kontaktet me liderët terroristë nga e mbarë bota, duke i përfshirë edhe organizatorët e sulmeve terroriste nga 11 shtatori i vitit 2001 në New York dhe Washington.

Në vitin 1999 Abu Katada është dënuar me burg të përjetshëm në Jordan për organizimin e një sërë atentatesh mbi objekte izraelite.

Beteja gjyqësore për ekstradimin e tij nga Britania e Madhe po zgjat prej gjashtë vite me radhë.