Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 17:03

E premte protestash në botën arabe. Tubime të dhunshme kanë shpërthyer në Sudan, ku është sulmuar Ambasada Angleze dhe ajo Gjermane, nga rreth 5 mijë manifestues.

Një gazetar i Reuters-it i pa protestuesit të hyjnë në ndërtesën e ambasadës në qendër të Kartumit, ku thyen dritaret dhe ndezën një zjarr te porta kryesore. Nuk është bërë e qartë se përse edhe misionet evropianë janë vënë në shënjestër të sulmeve.

Raportet flasin për disa protestues që kanë kapërcyer muret e jashtme të ambasadës amerikane në kryeqytetin sudanez Kartum. Raportohet se policia ka vrarë të paktën një protestues.

Në Egjipt protestuesit kanë qëlluar me gurë kundër Ambasadës Amerikane në Kajro, ndërkohë që sulme të ngjashme janë regjistruar edhe në Liban dhe Jemen.

Rreth 10 mijë manifestues dogjën flamuj amerikanë dhe izraelitë në Dacca të Bangladeshit dhe u përpoqën të hynin brenda ambienteve të Ambasadës Amerikane, për të protestuar kundër filmit “Pafajësia e Myslimanëve”.

Ndërkohë siç raporton televizioni ‘Al Arabiya’, në Tripoli një person ka humbur jetën dhe 25 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe policisë. Zyrtarët thonë se islamistët sulmuan dhe i vunë zjarrin një restoranti KFC në qytetin verior libanez të Tripolit.

Tym i dendur i zi është raportuar të dalë nga ambasada amerikane në Tunis, ku raportohet se ka pasur të lënduar pas përleshejs së protestuesve me policinë.

Përleshje dhe demonstrata janë raportuar edhe në Jemen, Indi, Indonezi, Iran dhe Afganistan.

Protestat u nxitën nga filmi anti-islamik, që sipas myslimanëve ofendon profetin Muhamed. FBI-ja paralajmëron protesta të ngjashme edhe në SHBA, të organizuara nga grupet ekstremiste. (LajmeShqip.com)