Lajme Shqip Monday, 31 October 2011 19:00

Washington – Shtëpia e Bardhë kumtoi se pranimi i palestinezëve në UNESCO është “i parakohshëm” dhe i shkatërron përpjekjet ndërkombëtare për paqe.

“Votimi i sotëm në UNESCO, për pranimin e Autoritetit Palestinez, është i parakohshëm dhe e shkatërron qëllimin e përbashkët të komunitetit ndërkombëar për paqe të vazhdueshme dhe gjithpërfshirëse në Lindjen e Mesme”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni.

Ambasadori izraelit në UNESCO, Nimrod Barkan, tha se votimi ishte “tragjedi për idenë e UNESCO-s dhe dëm i madh për të drejtën ndërkombëtare dhe për gjasët për paqe”.

Izraeli nuk do të reagojë në mënyrë pasive për hapat e dëmshëm drejt tij, deklaroi kryeministri Benjamin Netanjahu para parlamentit izraelit, transmetuan agjencitë botërore.

“Në vend se të ulen në tryezën e negociatave, ata ndërmorën hapa të njëanshëm në KB, duke e përfshirë edhe ditën e sotme. Nuk do të rrimë me duar kryq me hapa të këtillë të dëmshëm për Izraelin”, deklaroi Netanjahu disa orë pasi UNESKO-ja i pranoi palestinezët si anëtare të plotfuqishme. 

Agjencia kulturore e OKB-së, UNESCO, sot e ka pranuar Autoritetin Palestinez si anëtar të plotë.

Prej 173 delegacioneve në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s, 107 votuan për, 14 ishin kundër, ndërsa 52 abstenuan.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Gjermania, ishin në mesin e atyre që votuan kundër anëtarësisë palestineze.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, në fjalimin e tij në Nju-Jork, ka tërhequr vërejtjen se ky votim mund të rezultoj me humbjen e miliona dollarëve të donacioneve për UNESCO-n.

“Ky hap mund të ketë implikime potenciale për fondin, që jepet nga disa vende anëtare”, tha Ban Ki-mun.