Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 18:27

Tetovë – Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), të mërkurën në një konferencë për shtyp prezantoi qëndrimet e veta për koalicionet parazgjedhore të cilat sipas tyre u komentuan në mënyrë të pa saktë nga disa media.

Ata mohuan zërat se subjekti i tyre “do të jetë në koalicion me partinë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

“PPD si parti jashtëparlamentare ka theksuar gjithnjë dhe me kohë se vazhdimi i jetës se këtij koalicioni të mbrapshtë dhe antishqiptar, mjerisht edhe me një vasal dhe mercenar politik që thotë se përfaqëson shqiptarët, jo vetëm poshtëron dinjitetin dhe votën shqiptare, por është edhe një qeveri koalicioni që Maqedoninë e ka futur më një hendek të thellë të krizës politike, ndëretnike dhe ekonomike”, ka thënë lideri i PPD-së, Sejfedin Haruni.

Ai ka thënë se PPD shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare PPD-ja e pret si sfidën e saj më serioze dhe tashmë i ka bërë përpjekjet a para për t’u kyçur në aktivitetet dhe proceset vijuese parazgjedhore si një partner i një koalicioni që është duke u lidhur dhe i njëjti pritet të shpallet në fillim të javës që vjen,nëse agjenda e negocimeve mbaron në kohën e paraparë bashkërisht.

“Duke i njohur rrethanat politike dhe karakterin e krizës që ka mbërthyer jetën politike shqiptare,në të cilën janë etabluar parti në emër të interesave shqiptare konfiskojnë vullnetin shqiptar për qëllime të bizneseve të tyre të pista,duke marrë parasysh faktin se nga këto veprime ato kanë humbur besimin e votuesve shqiptar, si parti dhe si liderucë të tyre, PPD-ja doli me propozimin që Komuniteti shqiptaro-amerikan,i cili ndër shqiptarët këtu dhe më gjerë gëzon kredibilitetin moral dhe autoritetin nga angazhimi i saj rreth kauzës shqiptare, të marrë rolin e protagonizmit politik të tij në jetën politike të shqiptarëve dhe konkretisht që nga këto zgjedhje të parakohshme parlamentare,me qëllim për të shpëtuar shqiptarët nga kapitullimi politik i tyre në proceset politike që i kemi përpara”, ka thënë kreu i PPD-së.

PPD-ja ka thënë ai, tashmë ka informacione se nëpër bodrumet e selive të VMRO-së dhe të LSDM-së, ku zakonisht “dënohen liderët shqiptarë të prapaskenave antikombëtare” disa nga liderët e partive shqiptare kanë nisur “pazaret” e quajtura negocime për t’u bërë pjesë e koalicionet të ardhme qeveritar në bazë të pretendimeve të tyre hipotetike se do dalin fitues vetanak i një “shumice” të deformuar të vullnetit politik shqiptar.

Në fakt, sipas tij, PPD ishte partia e parë shqiptare e cila u shpreh konkretisht dhe vendosmërisht për të përkrahur nismën e komunitetit shqiptaro-amerikan nga Chicago të Ilinoisit, mesazhi i qartë i së cilës ishte dhe është që partitë shqiptare të opozitës që kanë afri dhe vullnet për t’u bashkuar rreth një opsioni të vetëm shqiptar për ndryshime dhe reforma të statusit të shqiptarëve të tërësinë shtetërore të Maqedonisë, për të ardhur siç thotë deri te një “bllok parazgjedhor shqiptar”.