Lajme Shqip Friday, 03 August 2012 17:38

Rusi – Tre luftanije të mëdha ruse, në bordin e të cilave ndodhen qindra marinarë, do të ankorohen së shpejti në portin sirian të Tartusit, raportuan burime ushtarake ruse gjatë të premtes.

Secila anije do të qëndrojë në port për disa ditë, kohë gjatë së cilës do të marrin furnizime me ushqime dhe ujë.

Rusia ka një bazë ushtarake pranë Tartusit. Është e paqartë nëse në anije ndodhen gjithashtu armë për ushtrinë e rregullt siriane.

Sipas raportimeve të pakonfimuara, luftanijet transportojnë gjithashtu municione dhe mjete të blinduara për trupat e presidentit Al-Assad.

Nuk është e qartë nëse një pjesë e ushtarëve do të qëndrojnë në bazën ruse të Tartusit. Megjithatë, Moska ka dhënë më parë garanci se nuk do të ndërhyrjë ushtarakisht për të ndihmuar ushtrinë siriane.

Gjatë së premtes, luftime të ashpra janë duke u zhvilluar në tre qytete kryesore siriane, në Damask, Alepo dhe Hama. Rreth 30 mijë shtetas rusë jetojnë në Siri. (T.Ch)