Lajme Shqip Friday, 19 August 2011 16:10

Shkup – Të ketë të drejta të barabarta për të gjithë dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Kjo ka qenë porosia kryesore e letrës në të cilën sekretarja shtetërore e SHBA-ve Hillary Clinton i ka dërguar shefit të ri të diplomacisë maqedonase Nikolla Popovski, pas marrjes së funksionit, bën të ditur gazeta maqedonase “Utrinski Vesnik”.

Letra deri te shefi i diplomacisë maqedonase, është dërguar që nga java e shkuar, por për dallim nga ajo e shefit gjerman të diplomacisë Guido Westerwelle, e cila ishte dërguar deri te mediat që të merr publicitet publik, kjo letër mbeti e fshehur në sirtarët e MPJ-së. Ajo ka numëruar shqetësimet kryesore të Washingtonit rreth gjendjes aktuale në shtet.

“Promovimi i sundimit të të së drejtës në Maqedoni, duke përfshirë të drejta të barabarta dhe respektimin e të drejtave të njeriut, mbetet prioritet i lartë i SHBA-ve dhe e vlefshme për partneritetin e mëtejmë. Maqedonia ka bërë progres të rëndësishëm gjatë 20 vjetëve, por mbeten ende detyra të rëndësishme që të prodhohet stabilitet dhe demokraci prosperuese dhe multietnike. Në kohën e takimit tim me kryeministrin Nikolla Gruevski në muajin shkurt kemi folur për shqetësimet e SHBA-ve rreth mungesës së transparencës, përndjekjeve selektive, shfrytëzimi i paraburgimit problematik dhe mungesa e gjykatave të pavarura. Ne mbetemi të shqetësuar se proceset gjyqësore mbeten të nënshtruar nga presionet e politikës dhe qeverisë. Ne mbështesim Maqedoninë për në NATO e BE dhe jemi të përkushtuar t’i ndihmojmë me qëllim të krijohet klimë ku biznesi dhe ekonomia do prosperojnë. Zgjidhja e këtyre çështjeve të të drejtave të barabarta do jetë kyçe për arritjen e këtyre qëllimeve”, shkruan në letër Clintoni, adresuar ministrit të jashtëm Popovski. (LajmeShqip.com)