Lajme Shqip Sunday, 05 February 2012 11:00

Uashington- SHBA-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen ndaj Republikës së Maqedonisë për të hyrë në NATO, theksoi ministri i Punëve të jashtme i Maqedonisë, Nikolla Poposki në intervistën për Zërin e Amerikës, pas takimit me zëvendës sekretarin amerikan të Shtetit, Uilliam Barns.

Sipas Poposkit, Maqedonia fillimisht është e fokusuar në rezultatin – vendi të bëhet sa më parë anëtare, se sa në ngjarjen – Samitin në Çikago.

“Me vetë faktin që SHBA-ja ka investuar mjaft në tërë rajonin tonë dhe në integrimin në NATO, automatikisht motivacioni duhet të ejtë në nivel të lartë. Ajo që është reale në terren është se Çikago nuk është samit që është i fokusuar në zgjerimin. NATO ka përcaktime strategjike që duhet t’i përcaktojë dhe në atë drejtim janë kahëzuar përpjekjet. Ajo që për ne është e rëndësishme është se përmbushja e kritereve dhe anëtarësimi i merituar duhet të materializohen sa më parë. Për këtë arsye insistoj se Çikago nuk është qëllim vetvetiu. Qëllimi ynë është ta promovojmë faktin se Republika e Maqedonisë duhet të bëhet anëtare dhe ajo është në interes të të gjithëve”, tha Poposki.

I pyetur për koment në rastin që Greqia të mos e repsektojë vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë dhe ta bllokojë sërish pranimin, Poposki thekson se ajo që mendon se është relevante në atë kontekst është se Republika e Greqisë është anëtare e KB-së. “Gjykata e KB-së ka sjellur vendim të caktuar dhe në atë vendim gjithashtu e cek sjelljen që pritet në të ardhmen. Nga aspekti i Republikës së Maqedonisë, nuk mund të presim apriori se Greqia nuk do ta respektojë atë vendim dhe se do të shkojë me vetëdije kundër vendimit të tillë”, thekson Poposki.

Lidhur me atë nëse Maqedonia ka plan B për mundësinë e tillë, shefi i diplomacisë thekson. “Ne kemi vetëm një-plan të vetëm, e ai është të bëhemi vend-anëtar i NATO-s”.

Në pyetjen nëse Maqedonia planifikon të shkojë në pranim me shkurtesën IRJM në Samitin në Çikago, Poposki thekson se kjo është diçka që është paraparë me Marrëveshjen e përkohshme. “Marrëveshja e përkohshme parasheh se në organizatat në të cilat është anëtare Greqia, ndërsa Republika e Maqedonisë ka aspirata për t’u bërë, sipas atyre kritereve të cilat janë paraparë në Marrëveshjen e përkohshme, edhe ashtu siç është rregulluar në korniza të KB-së, nuk ka kurfarë arsye të hasim në obstruksion”, theksoi Poposki. (Lajmeshqip.com)